India drejt humnerës, përsëri shënon rekord rastesh e vdekjesh

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Gjendja jashtëzakonisht e rëndë me pandeminë në Indi nuk është duke shfaqur shenja të përmirësimit. Gjatë 24 orëve të fundit në këtë shtet u regjistrua rekord i ri botëror i rasteve me Covid-19 për një ditë – 379 mijë e 257.

Përpos rekordit të infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënua edhe shifra më e lartë ditore e viktimave në nivel vendi me 3.645 të vdekur për një ditë. Kështu, shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në mbi 204 mijë. Sidoqoftë, ekspertët besojnë se numri i vërtetë është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.

ShBA-ja u bëri thirrje qytetarëve të saj që të largohen nga India sa më shpejt që një gjë e tillë është e sigurt për ta, duke e përmendur si arsye vështirësinë e qasjes në kujdes shëndetësor shkaku i gjendjes së rëndë me pandeminë.

Britania dërgoi ventilatorë dhe përqendrues të oksigjenit në kryeqytetin indian, ndërsa ndihma shtesë pritet të arrijnë edhe nga vendet tjera, përfshirë Irlandën, Gjermaninë dhe Australinë.

Disa shtete i kanë pezulluar fluturimet nga India, duke marrë hapa për t’u mbrojtur nga variantet më ngjitëse të virusit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ka biseduar gjatë me kryeministrin indian, Narendra Modi, lidhur me atë se kur ShBA-ja do të jetë në gjendje që t’i dërgojë vaksina Indisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme