India ka vendosur që përkohësisht t’i ndërpresë të gjitha eksportet e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” për Covid-19, i thanë BBC-së burimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky vendim mund të ndikojë që arritja e dozave të para në Kosovë të vonohet edhe më shumë.
Zyrtarët e kësaj ministrie thanë se rritja e numrit të rasteve nënkupton që mund të rritet kërkesa për vaksina brenda vendit gjatë javëve të ardhshme, prandaj dozat do të nevojiten për programin e vaksinimit në Indi.
Ky vendim pritet t’i prekë dërgesat e dozave në vende tjera që janë planifikuar deri në fund të prillit, ndërsa kjo do të ndikojë që të ketë vonesa në rreth 190 shtete që furnizohen nga programi COVAX, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Programi COVAX, i udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka për qëllim që të sigurojë shpërndarje të drejtë të vaksinave në të gjitha shtetet.
Me këtë vaksinë, e cila do të prodhohet nga Instituti “Serum” në Indi, pritet të furnizohet edhe Kosova, por nuk dihet se kur saktësisht do të arrijnë dozat e para. Këto doza në Kosovë pritet të arrijnë si pjesë e programit COVAX.
Prodhuesi më i madh indian i vaksinave, Instituti Serum, e ka shtyrë dërgimin e vaksinave të AstraZeneca-s në disa shtete ditëve të fundit, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Brazilin.
Deri më tani, India ka eksportuar më shumë se 60 milionë doza të vaksinës në 76 shtete. Shumica e këtyre dozave kanë qenë të vaksinës së kompanisë “AstraZeneca”, e cila u pezullua për një periudhë në disa shtete evropiane për shkak të shqetësimeve rreth mpiksjes së gjakut te personat e vaksinuar.