ndia përsëri shënoi rekord botëror të numrit ditor të rasteve me Covid-19, pasi regjistroi 332.730 infektime të reja në 24 orët e fundit. Kjo shifër e ngarkon edhe më shumë sistemin shëndetësor, që edhe ashtu është pranë kolapsit.
Përpos rekordit të personave të infektuar, gjatë kësaj periudhe India regjistroi edhe rekord të viktimave, duke shënuar 2.263 të vdekur për një ditë, raporton Reuters.
Zyrtarët në pjesët veriore dhe perëndimore të Indisë, përfshirë kryeqytetin New Delhi, paralajmëruan se shumica e spitaleve janë plot me pacientë dhe po mbeten pa oksigjen.
Shtimi i rasteve erdhi në ditën kur India pësoi edhe një tragjedi tjetër. Trembëdhjetë pacientë që po trajtoheshin për Covid-19 vdiqën nga zjarri që shpërtheu në një spital në Mumbai. Në Indi në të kaluarën janë shënuar disa fatkeqësi të ngjashme në spitale.
Vetëm dy ditë më parë, 22 pacientë me Covid-19 vdiqën në një spital publik në Maharashtra, kur bombolat e oksigjenit mbeten bosh për shkak të një rrjedhjeje. Më 26 mars, nga një zjarr në një spital të Mumbait vdiqën së paku nëntë pacientë me Covid-19.