Infektologu Izet Sadiku: Qeveria duhet të rris kontrollin e respektimit të masave

Prishtinë | 21 Tet 2020 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Mjeku i Klinikës Infektive në QKUK Izet Sadiku, i ka bërë thirrje Qeverisë që të rris kontrollin për respektimin e masave në kohën kur po pritet që Kosova të hyjë në një fazë të re të pandemisë.

Sadiku, ka thënë se rritja e rasteve, javën e fundit që ka ndodhur në Kosovë, manifestohet edhe me rritjen e kërkesave të pacientëve për trajtim në spital.

Megjithatë ai për Klan Kosovën, u shpreh se aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 80 pacientë me koronavirus, 70% prej tyre me oksigjenoterapi.

“Tani kemi rreth 80 pacientë që janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive, prej të cilëve 70% e tyre janë me oksigjenoterapi. Dy pacientë janë duke u ndihmuar me cipap, ndërsa dy të tjerë janë në gjendje më të rëndë, kurse të tjerët janë në një gjendje stabile”.

“Prandaj jemi duke bërë përpjekje që numri i rasteve të reja të jetë sa më i vogël, sepse numri në rritje i rasteve të reja mbingarkon edhe stafin spitalor ku do ishte e nevojshme edhe kërkesa për masa të reja”.

”Kemi hyrë në një fazë ku shumica e veprimtarive kanë qenë të lejuara. Sa më shumë që ka pasur lirim të masave do duhej të rritej përgjegjësia e qytetarëve”.

”Rritja e numrit detyron qeverinë të aplikojë për masa të reja. Kjo dëmton edhe shkollën, ekonominë dhe qytetarët”.

”Prandaj për këtë arsye jemi në fazën që me qëllim po mundohemi ta ruajmë numrin e vogël të rasteve. Sepse kur të rritej ky numër, nënkupton mbingarkesë të spitaleve, atëherë shteti do duhej të merrte masa”.

”Jemi në fazën kur qeveria duhet të rrisë edhe më shumë kontrollin për menaxhim të respektimit të masave”.

Infektologu Sadiku ka folur edhe për gripin sezonal, ku apeli i tij qe që secili qytetar që dyshohet se ka ndonjë shenjë gripi të vetëizolohet derisa të sigurohet që nuk është COVID-19.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme