Sadiku: Nëse 100 persona marrin dozën e tretë të vaksinës, gjasat janë që 25 prej tyre të infektohen

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, që është edhe infektolog me profesion, Izet Sadiku, thotë se vaksina nuk ofron mbrojtje 100% kundër koronavirusit.

Sadiku, në RTV Dukagjini, megjithatë thotë se vaksina është mbrojtja më e mirë kundër koronavirusit dhe formave të rënda të sëmundjes.

“Tash kemi rreth 30 mijë raste aktive dhe vetëm rreth 100 persona janë të hospitalizuar. Vitin e kaluar ndoshta kemi pasur shumë më pak raste aktive, por kemi pasur mbingarkesë në spitale”.

Sadiku ka treguar edhe një rast personal për efektin e dozës së tretë të vaksinës.

“Javën e kaluar, kemi pasur dy fëmijët pozitivë me coronavirus. Bashkë me bashkëshorten, e kemi ditur që ata janë pozitivë por nuk është se jemi ruajtur nga ta. Për shkak se kemi pasur edhe dozën e tretë të vaksinës, ne nuk jemi infektuar. Kjo tregon efektshmërinë e vaksinës”.

Ai thotë se në Kosovë pak njerëz ka të imunizuar me dozën e tretë.

“Vetëm ata që kanë marrë dozën e tretë në dhjetor konsiderohen të imunizuar, pasi që ata që janë vaksinuar në janar e këndej ende mund të mos kenë fituar imunitet. Mirëpo, edhe ata që marrin dozën e tretë të vaksinës nuk kanë mbrojtje 100% ndaj Omicronit. Nëse 100 persona marrin dozën e tretë, gjasat janë që 25 të infektohen, por ata do ta kalojnë shumë lehtë sëmundjen”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme