Infermierët e Kosovës, sytë nga tregu i jashtëm

Prishtinë | 02 Mar 2023 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Mundësia për punësim për 70 infermierë me diplomë bachelor dhe 15 infermierë me shkollë të mesme nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) nuk do të ndaloj synimin e të rinjve që të punësohen jashtë vendit.

Interesimi i tyre mbetet që profesionin e tyre ta ushtrojnë jashtë vendit kjo për një numër të arsyejeve.

Ilirjana Haziraj, studente në vitin e tretë në njërin nga universitetet private të Kosovës, thotë se pavarësisht mundësive që ofrohen, interesimi i saj vazhdon të mbetet punësimi në tregun e jashtëm.

Dëshira për t’u punësuar në Kosovë mbetet, por për shkak të perspektives punësimi jashtë vendit është zgjidhja e duhur.

“Do të kisha dëshirë që të punësohem në Kosovë, nuk do të kishte pasur rëndësi institucioni privat ose shtetërorë, mirëpo duke e pasur parasysh edhe perspektiven që na u ofrohet ne si infermierë, mendoj se do e kisha gjetur më shumë veten nëse do të punoja jashtë vendit”.

Për një periudhë kohore, Ilirijana ka qenë e punësuar në Gjermani.

Gjatë kësaj periudhe ajo kuptoi se sistemi shëndetësorë i Gjermanisë, dallon shumë nga ai i Kosovës.

“Kam qenë në praktikë edhe në Gjermani, e kuptoj se jemi shumë larg nga sistemi shëndetësorë i tyre, por ka më shumë perspektive sesa në vendin tonë fatkeqësisht”.

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi, sërish konsideron se “është numër i vogël”, për të punësuar infermierë, pasi që Kosova ka nevojë jashtëzakonisht të madhe për të shtuar numrin e infermierëve.

Madje ai pohon se infermierët të cilët janë pensionuar në QKUK nuk janë zëvendësuar.

“Mendoj që pavarësisht që do t’i zbusë kërkesat e infermierëve për punësim, sërish është numër shumë i vogël për arsyeje se ne sipas informatave që kemi ka 2 vjet që të gjithë infermierët që janë pensionuar nuk janë zëvendësuar, po flas edhe për Klinikën Infektive pastaj edhe klinikat e tjera e mos të flas edhe për infermierë që e kanë lënë punën dhe janë shkuar jashtë vendit”.

“Qoftë infermierët të cilët janë më sëmundje të rënda me kancer por edhe sëmundje kronike të cilat në asnjë moment nuk mund të futen në turne”, thotë ai në një bisedë për Albanian Post.

Një problem tjetër, thotë Rrustemi qëndron edhe tek zëvendësimi i motrave medicinale.

Sipas ligjit kur një motër medicinale lind nuk mund të hyj në turne për tri vite radhazi.

“Problemin më të madh jo veç QKUK-ja, por edhe kujdesi dytësorë e ka me infermierë në turne për arsyeje se një motër medicinale në momentin kur lind nuk mund të hyj për tri vite në turne dhe këtu është problem më i madh sepse asnjëherë nuk është paraparë që të zëvendësohet me turne”.

Ai ka pritshmëri që ky numër i infermierëve të plotësohet shpejt, pasi që një numër i tyre kanë qenë në pritje për një kohë të gjatë për t’u punësuar.

“Sigurisht do ta kaloj numrin shumë të madhe sepse ne kemi infermierë mjaft që një kohë të gjatë ndoshta për 15 vjet nuk ka pasur shans që të punësohet dhe ky numër sigurisht do të jetë i madhe”.

Mirëpo, shton se është edhe kategoria që nuk ka fare interesim për t’u punësuar në Kosovë, pasi synimet e tyre mbesin jashtë vendit.

“Në anën tjetër ka edhe infermierë që as që janë të interesuar për t’u punësuar sepse do të shkojnë jashtë vendit sepse atje edhe kushtet edhe pagat janë të një niveli tjetër”.

Anëtari i Komisionit të Shëndetësisë dhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shemsedin Dreshaj, thotë për Albanian Post se interesim për këtë iniciativë mund të ketë, por që largimi nuk mund të ndalet në këtë mënyrë.

“Mendoj që është iniciative e mirë dhe do të ketë interesim të mjaftuar nga stafi vendor. Ata të cilët e kanë në plan të dalin jashtë, s’mund t’i ndalësh me konkurse pasi do të largohen”.

“Por, mendoj që ne si vend duhet t’i ofrojmë shansin e punësimit dhe mendoj që kjo është një shans e mirë që ata ekspertë dhe profesionist t’i ndalin në vend”.

Kurse, thotë se nuk është numër i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e stafit shëndetësorë dhe pacientëve.

“Për të plotësuar nevojat e stafit mjekësorë ky numër është simbolik, nuk është i mjaftueshëm për t’i plotësuar të gjitha kërkesat”.

Më 27 shkurt, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka informuar se Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka hapur konkurs për plotësimin e 100 vendeve të lira të punës.

Përmes konkursit të shpallur, sipas njoftimit, mundësi punësimi do të kenë 70 infermierë me diplomë bachelor, 15 infermierë me shkollë të mesme, 10 teknikë të rëntgenit me diplomë bachelor, si dhe pesë laborantë mjekësorë me bachelor.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, njëjtë si secila qeveri tjetër, nuk është se ka prezantuar plan specifik për ikjen e specialistëve mjekësorë.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë. Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Të ngjashme