Infermierët e Psikiatrisë nuk e njohin Blerim Sylën si përfaqësues të interesave të tyre

Prishtinë | 25 Kor 2019 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë për punësimin e infermierëve kosovarë në Gjermani ka përplasur Shoqatën e Infermierëve të Psikiatrisë së Kosovës me kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në një prononcim për “Kohën Ditore”, lidhur me ikjen e infermierëve në Gjermani, Syla pati thënë se “infermierët që do të shkojnë në vendet e jashtme për punë do të përfundojnë duke u përkujdesur për pleq”. E për këtë deklaratë të tij, Shoqata e Infermierëve Psikiatrikë të Kosovës, të martën përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se Syla nuk e ka më të drejtën të flasë në emër të infermierëve.

“Tanimë e ke humbur të drejtën të flasësh për infermierët, jo pse infermierët ta ndaluan, por ti kurrë nuk fole për ta dhe për interesat e tyre, ishe tepër i zënë t’u dilje krahë anëtarëve infermierë të sindikatës që udhëheq. Tani ke filluar të brengosesh për infermierët jo se do t’i ruash interesat e tyre, por kryekëput interesin tënd. Nuk të dhimbsemi edhe nëse përkujdesemi për pleq, sepse ashtu edhe kjo kategori ka nevojë për përkujdesje shëndetësore”, thuhet në shkrimin e tyre.

Sipas kësaj shoqate, “kryesindikalisti” po flet “përçart”, sepse ai kurrë nuk i përfaqësoi këta profesionistë të shëndetësisë, ngase për të dhe udhëheqësin e Sindikatës së tij infermierët ishin vetëm për të plotësuar numrin e anëtarësisë, por jo edhe profesionistë të shëndetësisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme