Organizata jo qeveritare INPO ka mbajtur konferencë për media në të cilën ka paraqitur raportet lidhur me shkeljet e procedurave të prokurimit publik.
Këto raporte u prezantuan në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, koalicioni i OJQ-ve organizon konferencë për medie me temë “Kontrata korruptive në komunat e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.
Albulena Nrecaj, drejtoreshë e organizatës joqeveritare INPO, tha se gjatë monitorimit kanë gjetur shkelje të procedurave të prokurimit publik.
“Komuna e Ferizajt përveç se ka bërë shkelje të prokurimit publik ka bërë edhe keqpërdorim të parasë publike në vlerë prej 300 mijë euro. Një shkelje tjetër është edhe shkelja e kontratës për ndërtimin e një muri”.
“Komuna e Ferizajt ka fryre çmimet duke rritur në shuma marramendëse. Vlera e kësaj kontrate kap vlerën prej 84 mijë e 701 euro e që është pranuar edhe nga komuna e Ferizajt se kjo shumë nuk është reale dhe se ka mundur të ketë ndonjë shkelje. Gjetjet konkrete konsistojnë se kryetari i komunës ka bërë shkelje të prokurimit publik në rastin e 30 kontratave me vlerë të vogël. Asnjë zyrtar nuk ka ndërmarr asnjë veprim për veprimet jashtëligjore që janë bërë”.
Admir Shala, monitorues në organizatën INPO tha se Komuna e Ferizajt,Mitrovicës dhe Prizrenit kanë bërë shkelje pasi kanë neglizhuar procedurat e prokurimit publik për dhënien e kontratave.
“Komuna e Ferizajt në vitin 2015 shërbime të telefonisë mobile ka realizuar në mënyrë paushallë. Komuna e Mitrovicës ka lidhur 95 kontrata të vlerës së vogël. Komuna e Mitrovicë poashtu ka lidhur kontratë për marrjen e shërbimeve të sigurisë për komunën pa i zbatuar procedurat e prokurimit publik”.
“Java kundër Korrupsionit” ka filluar më 3 dhjetor dhe do të përfundojë më 9 dhjetor.