INPO: Komunat në vitin 2022 anuluan 134 aktivitet të prokurimit me vlerë prej mbi 22 milionë €

Prishtinë | 29 Sht 2023 | 15:29 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Iniciativa për Progres (INPO), ka publikuar raportin e anulimit të tenderëve për vitin 2022 me titullin “Anulimi i prokurimit: Domosdoshmëri apo keqmenaxhim?, në të cilin raport shfaqen të gjeturat rreth anulimit të tenderëve për vitin 2022, raporton Ekonomia Online.

Rexhep Maloku, menaxher i programeve në INPO, ka shpjeguar metodologjinë e hulumtimit për aktivitetet e anuluara në tërësi në njëzet komunat e monitoruara.

Tutje, Rexhepi potencoi se qëllimi i këtij hulumtimi është vlerësimi i ligjshmërisë së aktiviteteve të anuluara gjatë vitit 2022 në komunat e fokusit.

“Është një raport i cili mbulon 20 komuna të Kosovës. Qëllimi i këtij raporti ka qenë që të shihet se sa janë respektuar aspeketet ligjore. Kemi pasur telashe të theksuar në komunat Leposaviq dhe të Mitrovicës së veriut”. “Në këtë raport shihet se ka një pa përgjegjësi të institucioneve publike komunale për shkak se është rritur kogja shumë numri i tenderëve të anuluar në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, dhe shuma e këtyre tenderëve të anuluar është kogja e madhe dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në qyrktarët e komunave”, tha ai

Hulumtuesja e lartë, Leorentë Alija theksoj se organizata INPO edhe këtë vit ka ndjekur praktikën e monitorimit të anulimit të aktiviteteve të prokurimit.

Kësisoj, si rezultat i hulumtimit të gjeturat e INPO-s tregojnë se gjatë vitit 2022, në komunat e monitoruara janë anuluar njëqind e tridhjetë e katër (134) aktivitete të prokurimit me vlerë të parashikuar prej 22 567,215.60 EUR, ndërsa komunat me më së shumti aktivitete të anuluara janë Komuna e Prishtinës me njëzet e tri (23) aktivitete të anuluara, e pasuar nga Komuna e Gjakovës me katërmbëdhjetë (14) anulime dhe Komuna e Prizrenit me trembëdhjetë (13) aktivitete të anuluara, ndërsa me më së paku aktivitete janë Komuna e Kamenicës, Pejës dhe Shtimes me nga dy (2) aktivitete të anuluara dhe komuna e Deçanit për dytin vit me radhë nuk ka të anuluar asnjë tender.

Alija theksoi se gjetjet tregojnë që rreth 70% e komunave, nuk kanë publikuar Njoftimin mbi vendimin e autoritetit kontraktues, rrjedhimisht dokument ligjor i cili duhet të prodhohet nga secila AK pas anulimit të tenderëve. Tutje, INPO ka gjetur se në shumicën e aktiviteteve të prokurimit të anuluara ndaj të cilave publikohet vendimi, justifikimi është i paqëndrueshëm dhe nuk përkon me situatën reale se pse një AK e caktuar ka anuluar tenderin.

Alija shtoi se nga njëqind e tridhjetë e katër (134) aktivitete të anuluara gjatë vitit 2022, njëzetenjë (21) prej tyre, apo 11.42% janë anuluar para hapjes së ofertave, kurse njëqind e trembëdhjetë (113), apo 88.58%, janë anuluar pas hapjes së ofertave.

“INPO konsideron se tenderët e anuluar qoftë para hapjes apo pas hapjes së tyre janë tender që nuk është dashur fare të iniciohen ose për shkak të kritereve apo specifikimeve tenknike të cilat kanë qenë me element favorizues apo diskriminues ose për shkak të keqpërdorimit të prokurimit, respektivisht tenderëve përmes së cilëve është tentuar të rekrutohet staf për pozitat e rregullta të administratës publike apo staf mjekësor”.

“INPO ka vërejtur se dukuria e anulimit të tenderëve është duke u rritur, qoftë për nga numri i tenderëve që anulohen apo edhe për nga vlera e parashikuar e tenderëve që anulohen. Bazuar në raportin e punës së Komisionit Rregullativ për Prokurimin Publike (KRPP), gjatë vitit 2022, në të gjitha autoritetet kontraktuese (AK) janë anuluar gjithsej në 2240 aktivitete të prokurimit, apo rreth 30% e tenderëve të iniciuar në gjithë vendin. Vetëm 2% e tyre janë anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Ndërkaq, në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) nga janari deri në shtator 2023 janë parashtruar rreth 165 ankesa kundër njoftimit për anulim”.

Hulumtuesi i INPO-s, Valmir Ilazi theksoi se me të gjeturat e paraqitura është shqetësuese udhëheqja e procedurave të prokurimit të cilat rrjedhimisht kërkojnë të trajtohen në frymën e ligjit dhe rregullave për prokurimi publik.

Ilazi rekomandon që Autoritetet Kontraktuese të kujdesen që numri i anulimeve të jetë sa më i vogël, apo një anulim i tillë të ndodh vetëm kur është i pashmangshëm, respektivisht bazuar në dispozita ligjore, të mos iniciojnë tender të cilët janë të rezervuar për prokurime të centralizuara dhe të mos keqpërdorin procedurat e prokurimit për rekrutim të safit.

“Në bazë të kësaj që kemi gjetur nga anulimi i aktiviteteve në këto komuna krahasor me vitin 2021 është se këto komuna kanë anuluar 6 tender më pak. Ajo që mbetët shqetësues është se vlera e këtyre tenderëve të anuluar është rritur pothuaj se mbi 1 milion euro”, tha ai.

Tutje, komunat të kenë parasysh që anulimi i aktivitetit të prokurimit duhet të bëhet përmes vendimeve të justifikuara të cilat nuk i atribuohen papërgjegjshmërisë së AK-së gjatë hartimit apo inicimit të tenderit.

AK-të të sigurohen që kriteret e paraqitura në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë të jenë në përputhshmëri me natyrën e aktivitetit të inicuar, në mënyrë që aktiviteti të mos anulohet për shkak të mungeses së ofertave.

Ilazi përfundoni duke rekomanduar që komunat t’i adresojnë shkaktarët kryesor të anulimit të aktiviteteve të prokurimit, posaçërisht në rastet kur mungojnë ofertat dhe rastet kur të gjithë OE-të janë të papërgjegjshëm, në mënyrë që këta shkaktarë të jenë sa më të paktë në të ardhmen.

Të ngjashme