INPO: Kushtëzimi i shërbimeve komunale me pagesën e borxheve, shkelje e ligjit

Prishtinë | 09 Gus 2016 | 17:50 | Nga

Iniciativa për Progres, INPO, ka kritikuar kryetarin e Ferizajt, Muharem Sfarqa, për vendimin e tij për të kushtëzuar pagesën e borxheve komunale me ofrimin e shërbimeve komunale.

Kjo organizatë joqeveritare thotë se kjo është shkelje e të drejtave themelore të qytetarëve dhe ligjit.

“Dështimi i udhëheqjes së Komunës së Ferizajt në menaxhimin efikas dhe efektiv të kompanive publike të komunës, në asnjë mënyrë nuk e justifikon shkeljen e ligjit dhe instalimin e praktikave kushtëzuese”, thekson INPO, nëpërmes një komunikate.

INPO vlerëson se nuk ka logjikë të vendosen masa shtrënguese në kundërshtim me ligjin. Për më tepër, synimi i kësaj qeverisje për të krijuar stabilitet financiar të ndërmarrjeve publike komunale përmes formave joligjore, dëmton qytetarët. “Një vendim i tillë i Komunës përbën bazë për hetime nga Prokuroria Themelore në Ferizaj”.

“Udhëheqja e Komunës, para se të mendoj dhe veproj për stabilitetin e ndërmarrjeve publike komunale, duhet të përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të saj, respektimin e ligjit dhe promovimin e parimeve të qeverisjes së mirë”.

INPO ia rikujton kryetarit të komunës së Ferizajt se ekzistojnë mekanizma ligjorë për mbledhjen e borxheve. “Para ligjit të gjithë janë të barabartë, prandaj shërbimet e tilla ligjore dhe mekanizmat ekzistues, duhet të shfrytëzohen për të krijuar ambient përmes ligjit dhe me ligj. Nuk ka mënyrë dhe mjet tjetër që arsyeton veprimet e kundërligjshme për të vendosur ligjshmëri në asnjë vend demokratik, përfshirë edhe Komunën e Ferizajt”.

Për më tepër, interpretimi arbitrar i dispozitave ligjore në shërbim të interesave të udhëheqjes komunale është shqetësim serioz.

INPO thekson se Komuna mund t`i caktojë tarifat dhe mënyrën e inkasimit të mjeteve financiare për shërbimet komunale, por assesi në kundërshtim me ligjin, praktikat dhe standardet, të cilat i cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve.

Të ngjashme