Inspektorati detyron Universitetin “Ukshin Hoti” ta bëjë rivlerësimin e kandidatëve

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 13:48 | Nga

Kandidati Hidajet Karaxha kishte aplikuar në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren për t’u bërë pjesë e stafit të rregullt. Por nuk i doli siç e mendoi. Aty ishte pranuar një kandidate tjetër. Karaxha kishte ushtruar ankesë në Inspektoratin e Punës, me pretendimin se kundërkandidatja nuk i plotëson kushtet e parapara në konkurs. Inspektorati erdhi në përfundim se kandidatët duhet të rivlerësohen.

Pasi Hidajet Karaxha kishte bërë ankesë në Inspektoratin e Punës në Prizren, ky i fundit e kishte inspektuar gjendjen. Aty kishte gjetur se diçka nuk përputhet mes asaj që është kërkuar në konkurs dhe dosjes së aplikuesve.

Hidajet Karaxha kishte aplikuar në pozitën e asistentit për lëndën “Ndërmarrësi, Bazat e Menaxhimit, Menaxhimi i Burimeve Njerëzore, menaxhimi i Projekteve dhe hyrje në Ekonominë e Biznesit”, në konkursin (Nr. 01.18/A të datës 19.01.2018), i shpallur nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren.

Në këtë pozitë ishte pranuar kandidatja Leonora Sopjani, e cila sipas Inspektoratit, në dosje nuk është gjetur dëshmi për publikime shkencore profesionale, raporton Insajderi.com.

“Duke mbështetur nga shkresat e lëndës të pranuara nga punëdhënësi UP “Ukshin Hoti” për znj. Leonora Sopjani, në shkresa të lëndës nuk është gjetur ndonjë dëshmi për publikimet shkencore profesionale”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Punës.

Kurse sa i përket kriterit tjetër për njohjen e një gjuhe të huaj, Inspektorati i Punës ka gjetur se kandidatja Leonora Sopjani posedon disa diploma dhe certifikata.

“Ka certifikata për pjesëmarrje në konferencën e organizuar nga UPZ dhe TAKYA. Në shkresat e lëndës ka dëshmi për njohje të gjuhës angleze: diploma B1+, certifikata B1, certifikata A2, dhe një diplomë nga World English Institute”, thuhet më tej në raport.

Kurse për Hidajet Karaxhën në raport thuhet se posedon dëshmi për publikime shkencore dhe për njohje të gjuhës angleze.

Inspektorati i Punës gjithashtu ka konstatuar se të dy kandidatët janë të diplomuar në Master të shkencave të ekonomisë dhe kanë të regjistruar doktoratën – njëri në Prishtinë, e tjetri në Strugë.

“Inspektorati i Punës, duke u bazuar nga shkresat e lëndës – diploma e parashtruesit të ankesës dhe diplomat në kuadër të kandidatëve të pranuar, konstatohet se parashtruesi i ankesës z. Hidajet Karaxha ka diplomë Master i shkencave ekonomike dhe të regjistruar Doktoratën si student i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Po ashtu edhe kundërkandidatja e pranuar Leonora Sopjana ka të përfunduar Master i Shkencave Ekonomike dhe ka të regjistruar doktoratën në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë”, vazhdon arsyetimi i Inspektoratit.

Në një situatë të tillë, Inspektorati i Punës vendosi që ta obligojë Universitetin “Ukshin Hoti” për rivlerësimin e kandidatëve.

“Duke marrë parasysh gjendjen juridike nga dispozitat e nenit 8 paragrafi 2 të Ligjit të punës nr. 03/L-212, pjesë të konkursit të Dokumentacionit për aplikim pika Dëshmia për publikime shkencore e profesionale dhe pika 1 Njohje të gjuhëve të huaja të konkursit Nr. 01-18/A, dhe gjendjen faktike të paraqitur nga shkresat e lëndës, Obligohet punëdhënësi që të bëjë vlerësimin e sërishëm të kandidatëve konkurrues në përputhje me kushtet e konkursit dhe Ligjin e Punës në afat prej 15 ditësh”, përfundon raporti.

Të ngjashme