Kryeshefi i IPK-së Hilmi Mehmeti dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Shpend Maxhuni, nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi në objektin e IPK-së në Hajvali.
Sipas udhëheqësve të këtyre dy institucioneve të rëndësishme, qëllimi i kësaj marrëveshjeje qëndron në ofrimin e mbështetjes së ndërsjellë, për të siguruar efikasitet, efektivitet dhe ekonomizim të shërbimeve, duke kontribuar në arritjen e objektivave të përbashkëta.
Kjo marrëveshje pritet të rregullojë çështje me interes në fushën e mbështetjes teknike, harmonizimit të procedurave për ofrimin e mbështetjes teknike, nxjerrjen e planeve të përbashkëta të trajnimit dhe shfrytëzimin e qasjes në informata me interes për hetimet duke përfshirë në vete shumë fusha të bashkëpunimit si: ofrimin e mbështetjes teknike dhe profesionale policore për nevoja operative të IPK-së, shfrytëzimin e objekteve policore për nevoja operative të IPK-së, shfrytëzimin e hapësirave për vendosjen e kutive të ankesave etj.
Si Kryeshefi i IPK-së z. Mehmeti ashtu edhe ai i PK-së z. Maxhuni në takimet e tyre të mëhershme kanë theksuar zotimin për bashkëpunim të mëtutjeshëm por me nënshkrimin e kësaj marrëveshje sot fuqizuan edhe më tej përkrahjen reciproke për të dy institucionet drejt avancimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.