Inspektorati i Tregut monitoron çmimet e derivateve, paralajmëron masa për shkelësit

Prishtinë | 10 Mar 2026 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se është duke zhvilluar mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës për të verifikuar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave mbrojtëse për konsumatorët.

Institucioni ka bërë të ditur se, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, është duke analizuar të dhënat që lidhen me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës për datën 9 mars 2026, çmimet mesatare të importit për derivatet e naftës kanë qenë:

  • Naftë (Dizel): 1.44 euro për litër
  • Benzinë: 1.17 euro për litër

Ndërkohë, bazuar në monitorimin e tregut nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë kanë rezultuar:

  • Naftë (Dizel): nga 1.44 deri në 1.55 euro për litër
  • Benzinë: nga 1.26 deri në 1.31 euro për litër

Sipas vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, marzha maksimale e lejuar tregtare është përcaktuar në dy eurocentë për litër për shitjet me shumicë dhe dymbëdhjetë eurocentë për litër për shitjet me pakicë.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se në çdo rast kur identifikohen parregullsi, mosrespektim i marzhës apo praktika që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Për çdo zhvillim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme