Ndotja e Lumëbardhit me mbeturina vazhdon teksa Inspektorati Komunal është treguar i pafuqishëm që ta luftojë këtë fenomen.
“Nuk kam koment. Nuk kam përgjigje. Ajo po ndodh prapë dhe nuk po zhduket. Është e pakuptimtë pse nuk eliminohet ajo ndotje e lumit që po ndodh me vite”, thotë Urim Xharavina nga organizata mjedisore “Let’s Do It Peja”. Deri muajt e kaluar Inspektorati Komunal është justifikuar se nuk ka mjaftueshëm inspektorë të Mjedisit, për të mbuluar në të njëjtën kohë të gjitha pikat në qytet, përfshirë edhe këtë në afërsi të tregut të gjelbër.
Deri para më tepër së një muaj kanë qenë tre inspektor të Mjedisit, e ndërkohë janë angazhuar me kontratë mbi vepër edhe dy të tjerë, edhe për ta vëzhguar më shpesh atë pikë te tregu i gjelbër, me qëllim të kapjes në flagrancë të hedhësve të mbeturinave dhe për t’i gjobitur ata, shkruan sot Koha Ditore.
Por as rritja e numrit të inspektorëve nuk e ka ndalur ndotjen e lumit, as te tregu e as në pjesë të tjera të qytetit. “Aktualisht jemi pesë inspektorë të Mjedisit. Jemi duke u mundu fort me eliminu atë problem edhe te tregu i gjelbër, por nuk po ia arrijmë qëllimit, pasi kryesisht po hidhet ditëve të vikendit. Është bërë problem me e menaxhu se nuk po kemi si me i identifiku hedhësit e mbeturinave. Kryetari i Komunës ka thënë se do të angazhojë edhe dy inspektorë të tjerë të Mjedisit”, pranon inspektori i Mjedisit, Miftar Shala, se nuk po arrijnë ta fusin në kontroll ndotjen e lumit në atë pjesë te tregu i gjelbër.