Që nga nëntori i vitit të kaluar deri më tani, Inspektorët e tregut në Mistrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kanë marrë 930 mostra të derivateve dhe të gjitha këto raste janë proceduar për në Gjykatë.
Në këto raste inspektorët kanë hasur në produkt i cili është jokonform Udhëzimit Administrativ.
Gjobat ndaj këtyre rasteve variojnë prej 10 deri në 13 mijë euro derisa në disa raste edhe janë mbyllur pompat e derivateve.
Kryeinspektori i tregut në MTI, Lulzim Syla, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se para 2-3 javëve është mbyllur një pompë e derivateve e cila ka mashtruar konsumatorët dhe ka dalë jashtë Udhëzimit Administrativ.
“MTI-ja gjegjësisht Inspektorati i kësaj ministrie është përgjegjës për mbikëqyrjen e derivateve të naftës brenda territorit të Kosovës. Unë pas disa kërkesave që i kam bërë te ministri Shala që të shtohet numri i inspektorëve sepse krahasuar me vitet e kaluara kemi pasë numër të vogël të inspektorëve në sektorin e derivateve të naftës. Pas ardhjes të tre punëtorëve të rinj shpeshtimi i marrjes së mostrës është rritur. Nëse e marrim periudhën 1 vjeçare, që nga nëntori i vitit të kaluar e deri më tani janë marrë 930 mostra të cilat në vitet paraprake nuk ka pasë shansa teorike me marrë këtë numër. Pra deri më tani kemi marrë 930 mostra”, ka thënë ai.
“Kemi hasë edhe në produkt i cili është jo konform Udhëzimit Administrativ dhe Inspektorati gjithmonë lëndët i procedon për në Gjykatë që do të thotë që ka raste që janë mbyllë dhe Prokuroria e Shtetit po merret me ato raste, dmth aty ku kemi hasë në produktin që ka mashtruar konsumatorin edhe ka dalë jashtë Udhëzimit Administrativ kemi rastin para 3 ose 2 muajve që është mbyllë pompa e benzinës. Gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 33 mijë euro, por gjithmonë ashtu siç vendos Gjykata sepse ne vetëm e procedojmë lëndën në Gjykatë”, tha ai për Ekonomia Online.
Për rastet e tjera të mbylljes së pompave të derivateve, Syla thotë se disa prej tyre kanë vepruar pa licencë.
“Kur kemi hasë në moslicensim, dmth ajo pompë që ka vepruar pa licensë një kohë shumë të gjatë normal që edhe e kemi mbyllë atë pompë të benzinës”, tha Syla.
“Sa i përket cilësisë së naftës, këtu nuk kemi asnjë rast sepse nga konsumatori ne e kemi departamentin e veçantë të mbrojtjes së konsumatorëve dhe kanë të drejtë të ankohen. Asnjë ankesë nuk kemi pasë këta muajt e fundit që do të thotë prej janarit e deri më tani vetëm një rast e kemi pasë dhe ajo ka qenë për punë jo të cilësisë së derivateve të naftës, por për litër-litër, që do të thotë konsumatori ka menduar që nuk ia kanë shitë 20 litra, por 19 litra dhe në bazë të asaj ankese ne bashkë me Agjensionin e Meteorologjisë kemi dalë në terren dhe kemi marrë masa”.
Syla në këtë intervistë ka folur edhe për gjobitjen e marketeve për shkak se ato nuk i janë përmbajtur Udhëzimit Administrativ që të vendosin flamujt e origjinës pranë produkteve.
Ai tha se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Inspektorët e tregut të MTI-së kanë shqiptuar 32 gjoba ndërsa nëse përfshijmë edhe komunat e tjera atëherë numri shkon në 120 gjoba.
“Që nga filli i vitit 2019 kur ka hyrë në fuqi Ligji i Mbrojtjes së Konsumatorëve aty është edhe vendosja e flamujve pranë produkteve. Para se të hyjë ligji në fuqi, ne kemi biseduar me ministrin Shala që t’i japim kohë bizneseve edhe dy muaj dhe pas asaj kohe shtese, Inspektorati ka vepruar në gjithë territorin e Kosovës. Ne si Inspektorat i MTI-së kemi një numër të vogël të punëtorëve dhe është e pamundur ta mbulojmë gjithë territorin e Kosovës mirëpo një bashkëpunim i shkëlqyeshëm me komunat e Kosovës dmth kemi renditur aksione të përbashkëta dhe aty ku kemi hasë në produkte pa flamuj aty ne kemi marrë masa ndaj tyre. Deri më tani, i kemi diku rreth 32 gjoba vetëm nga Inspektorati i MTI-së, nëse përfshijmë të gjitha komunat atëherë numri shkon deri 120 gjoba”, ka thënë ai.
Marketet të cilat e kanë marrë gjobën, gjoba është 1 mijë euro për mosvendosje qoftë edhe të një flamuri.
E duke folur për cilësinë e bukës dhe shqetësimin e qytetarëve në lidhje me dyshimet për kilogramë jo real, Syla tha se inspektorët po inspektojnë matëset se a janë apo jo të kalibruara.
“Sa i përket furrave të bukës, aty ku kemi hasë normal kanë marrë dënime. Inspektorët janë në terren dhe vazhdimisht janë duke inspektuar matëset se a janë apo jo të kalibruara, pra gjendja është kjo. Nuk kemi pasë fenomene që nuk është kilogrami-kilogram”, tha ai.
Syla u ka bërë thirrje konsumatorëve të që çdo ankesë qytetarët ta adresojnë tek ata.
“U bëj thirrje të gjithë konsumatorëve të na drejtohen në ato raste ku hasin padrejtësi. Ne prioritet e kemi konsumatorin dhe brenda 24 orëve gjithmonë shkojnë inspektorët dhe e shohin produktin nëse ka pasë mashtrime apo jo”, tha ai për Ekonomia Online.