Inspektorët komunalë i janë drejtuar Qeverisë me një numër kërkesash bazuar në pakënaqësitë e tyre.
Përmes një letre, ata kanë kërkuar nivelimin e pagave për të gjithë inspektorët komunal. Ata thonë se janë të diskriminuar me pagë dhe benificione të ndryshme.
“Inspektorët Komunal për kundër rolit dhe rëndësisë që kanë në zbatim të ligjeve, në mbajtje të rendit dhe mbrojtje të shëndetit të njerëzve, janë të diskriminuar me pagë dhe benificione tjera dukshëm me inspektor të tjerë (si shembull Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinës, Administrata Tatimore) kanë koeficientin 8 ndërsa karakteri, roli dhe rëndësia e punës është e njëjtë. Kompetencat dhe detyrat janë të përcaktuara me të njëjtat ligje dhe akte tjera nënligjore. Ne aktualisht paguhemi me pagë ekuivalente me shoferët e administratës dhe punëtorët tjerë teknik ne institucione të administratës. Aktualisht paga jonë është 360 euro”, thuhet në njoftim
Ata tutje kanë kërkuar të përfshihen në shtesën e rrezikshmërisë.
“Siç dihet ne Inspektorët Komunal çdo ditë në kryerjen e detyrave zyrtare hasim në rrezikshmëri të llojeve të ndryshme si nga ato profesionale dhe po ashtu nga kërcënimet që na bëhen nga pronaret e papërgjegjshëm të subjekteve të Inspektimit. Duke krahasuar me rolin dhe karakterin e njëjtë në kopmetenca dhe detyra, inspektorët dhe personeli i Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinës ku përveç koeficientit 8 marrin edhe nga 105€ rrezikshmëri, kurse ata nga Administrata Tatimore marrin hiq më pak se 200€ rrezikshmëri”, njoftojnë ata.
Inspektorët kanë kërkuar të drejtën e kompensimit me pagë për kohën shtesë.
“Duke marr parasysh karakterin e punës dhe gjendjes aktuale në menaxhimin e Pandemisë Covid 19 ne jemi të angazhuar në orar shtesë deri ne mesnatë, gjithmonë ju ekspozohemi rrezikut të drejtpërdrejtë nga infektimet për vete dhe familjarët tanë. Duke qenë në vijën e parë të frontit ku shumica nga ne kemi qenë të infektuar e disa prej nesh edhe në Oksigjenoterapi asnjëherë nuk i kemi ndal kontrollet e përbashkëta me Policinë e Kosovës në menaxhimin e situatës aktuale me Pandemi”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.
Sipas komunikatës, ata thonë se kryeministri dhe Kabineti qeveritar të mërkurën i kanë anashkaluar ata duke ju dhënë të drejtë pagë shtesë vetëm Personelit Shëndetësor dhe Policisë së Kosovës.
“Dhe për fund ftojë të gjithë përfaqësuesit e të gjitha Komunave që këto 3 elemente të futen në ligjin e ri të pagave dhe në këtë mënyrë të marrim vend meritor në rolin e Institucioneve Shtetërore, sepse edhe me ligjin e ri jemi të diskriminuar”, thuhet tutje në njoftim.