Së shpejti do të mund t’i favorizoni storjet në Instagram – ose thënë saktë, përdoruesit që bëjnë storje.
Instagram është duke testuar një veçori të re të quajtur “favorites”, një mënyrë krejtësisht e re për të shpërndarë fotografi me grupe të caktuara njerëzish.
Në thelb, veçoria i lejon përdoruesit që të kenë kontroll mbi atë se kush i sheh postimet e caktuara, transmeton Gazeta Express. Idea prapa ‘favorites’ është që t’i lejojë njerëzit të krijojnë një grup me miq të zgjedhur të cilët mund të shohin postime të caktuara – qoftë në Storje ose në faqen kryesore, thuhet sipas Instagram.
Njerëzit nuk do të njoftohen kur të shtohen ose hiqen nga lista favorite e një përdoruesi. Megjithatë, një shirit i gjelbër në formën e butonit do të shfaqet në krye të postimeve dhe do t’i njoftojë përdoruesit se janë në listën favorite të miqve të tyre.
Postimet që shpërndahen vetëm me favoritët do të paraqiten gjithashtu në një hapësirë të ndarë, kështu që të mund ta dini se cilat postimet janë private.
Nëse e hiqni dikë nga ‘favorites’, ata nuk do të jenë në gjendje t’i shohin fotografitë tuaja private, madje edhe ato që i keni shpërndarë kur ai ishte në listën e favoritëve.
Dhe, askush nuk mund të kërkojë që të hyjë në listën tuaj. Instagram është duke e testuar këtë veçori vetëm me një grup të zgjedhur përdoruesish për momentin, kështu që nuk është ende e qartë se kur do të bëhet e gatshme për të gjithë.