Shqipëria shënoi ritmet më të larta të rritjes së çmimeve në rang evropian edhe gjatë muajit mars.
INSTAT publikoi indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për marsin 2017, i cili ndryshe nga indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare dhe të huajve në tregjet e pakicës. Ky indeks rezultoi 3.8 për Shqipërinë, niveli më i lartë në Evropë sipas INSTAT.
INSTAT shpjegon se ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 8,5 %, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4 %, “Transport” me 3,2 %, “Argëtim dhe kulturë” me 2,5 %, etj.
Në muajin mars 2017, ndryshimi mujor i indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është 0,6 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike”.
INSTAT po publikon për tretin muaj radhazi indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), i cili përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet europiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Europës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Europiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Unionin Ekonomik dhe Monetar.
Edhe në muajin mars, Shqipëria rezultoi me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë me 3.8%, teksa mesatarja europiane ishte 1.6%. Ritmet më të larta të rritjes i pati Shqipëria, Letonia dhe Lituania dhe Estonia.
Në muajin mars indeksi mesatar i çmimeve ne Europe ra me 1.6 për qind nga 1.9 për qind që ishte në shkurt.
INSTAT shpjegon se në IÇK mbulohen vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit.
INSTAT shpjegon se ndryshe nga ICK, indeksi i Harmonizuar mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, përfshirë familjet private dhe institucionale, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jo rezidentë.