Në komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor është diskutuar për gjendjen e kompleksit memorial “Adem Jashari”. I ftuar për raportim ishte drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), Idriz Blakaj.
Bakaj e pranoi se kullat janë në gjendje të keqe. Ai tha se ndonëse janë paraqitur projekte për konservim as një herë nuk kanë filluar si implementuari, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, fajtor që kullat janë afër rrënimit janë të gjitha institucionet dhe mediet.
Kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, tha se për këtë monument kurrë nuk kanë munguar financat vullneti për tu marrë me të.
Ndërsa për deklaratën e e kryeshefit se mediet janë fajtore, Haradinaj tha se këto të fundit më së paku janë fajtore.
“Kush i ka fajet nëse shembet një pjesë e kompleksit, tregoma emrin. Mos bo hajgare, mediet i paskan fajet, ligjërata nuk duam me ngu”.
Deputeti i PDK-së, Andin Hoti, e ka konsideruar turp që të flitet se kullat më të rëndësishme në vend janë afër rrënimit
“Është turp për në që pas 18 vjetësh të flasim që ky kompleks është duke u shemb. Duhet me intervenua si Qeveri, si vend për të mos lejuar qe kullat të shemben. Nuk jemi këtu me akuzuar dikë, jemi me ndihmuar kompleksin. Çka duhet me bo na si deputet që ai të ruhet”.
Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, tha se dikush duhet që të marrë përgjegjësi për gjendjen e krijuar.
“Gjendja vërtetë e rëndë. Kur themi që të gjithë janë fajtorë i bie që askush nuk është fajtor. Mendoj që problemi nis në dokumentin e vitit 2007. Kon e keni angazhuar si ekspertë, pse kemi ngecur. Ju ishte dashtë me MKRS-në me bashkëpunuar për me krijuar projektin”.
Deputeti i Nismës, Enver Hoti, ka kërkuar dorëheqjen e Blakajt me arsyetimin se ai ka përgjegjësi.
“I nderuar kryetar i agjencionit, për ato që i dëgjova ju është dashur të jepni dorëheqje. The që s’ke pasur mundësi është dashur të jepni dorëheqje, nuk ishte bo nami. Përgjegjësia mbi ju. Propozoj që qeveria të marrë vendim urgjent, që ajo të merret me këtë çështje pasi është edhe 20 vjetori i Epopesë. Ligji duhet të kthehet në pikën zero”.
Komisioni për Bujqësi ka ndërprerë mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit në seancën plenare që po zhvillohet në Kuvend.