Pa pediatër ka mbetur Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë. Qe disa vjet, në këtë institucion shëndetësor, të vetmit specialistë që kujdesen për shëndetin e fëmijëve janë ata të mjekësisë familjare. Por, ata shpesh ndodh që për raste specifike pacientët t’i referojnë te mjeku i fëmijëve.
E kjo, sipas zyrtarëve opozitarë, është e kushtueshme për xhepin e qytetarëve të Podujevës, të cilëve u duhet që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në ordinanca private ose në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë. Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari, ka thënë se mungesa e specialistëve shëndetësorë është edhe nga keqqeverisja e pushtetit komunal.
“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë tash e disa vite është pa pediatër. Kjo tregon për keqqeverisjen e LDK-së tash e 20 vjet në Komunën e Podujevës. Qytetarët tanë, për më të voglin shërbim, duhet të drejtohen në Prishtinë, apo këtë shërbim ta marrin nëpër ordinanca private, gjë që po u kushton me shuma të mëdha parash dhe po dëmtohen çdo ditë nga kjo keqqeverisje”, është shprehur Fatmir Rudari. Ndërsa, shefi i Grupit të Këshilltarëve të VV-së, Vendenis Lahu, ka thënë se ka disa vite që prindërit përballen me mungesën e një pediatri në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. “Kjo është një problematikë reale në qytetin tonë, pra mungesa e pediatrit në QKMF. Kjo paraqet vështirësi për prindërit, sepse fëmijët e tyre nuk mund ta marrin trajtimin specialistik pediatrik ashtu siç do të duhej. Dhe, në mungesë të pediatrit, këto shërbime, pra kontrollin e fëmijëve, e bëjnë mjekët familjarë, specialistët e mjekësisë familjare, që nuk është gjëja më adekuate”, ka theksuar Lahu.