Instituti GAP, PIPS dhe GLPS – Reagim ndaj qeverisë për procedimin me urgjencë të ligjeve

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Haradinaj në takim me Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka kërkuar me urgjencë procedimin e ligjeve që janë pjesë e ERA-së dhe Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, të cilat do ta ndihmonin Kosovën në liberalizimin e vizave. Ato shtatë objektiva për të cilat kërkohet urgjencë janë procedimi i Kodit penal, Projektligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore, Projektligji për Gjykatat, ai për Këshillin Gjyqësor dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial.

Institutit GAP, PIPS dhe GLPS kanë reaguar përmes një komunikate për media duke thënë se përmbushja e objektivave të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) dhe mobilizimi institucional nuk do të duhej të prioritizohen vetëm për të qëndruar mirë para Bashkimit Evropian dhe për t’i siguruar se po i “kryejmë detyrat e shtëpisë”, por u duhet dhënë përparësi për shkak të përfitimeve që ato objektiva sjellin për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe për zhvillimin e vendit në përgjithësi. Theksojmë që liberalizimi i vizave nuk do duhej të ishte qëllimi kryesor për të punuar në arritjen e objektivave të agjendës evropiane, por përftimi i qytetarëve nga këto objektiva në aspektin e sundim të ligjit, qeverisjes së mirë, rritjes së investimeve, konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë, mirëqenies socio-ekonomike, dhe ngritjes së cilësisë së arsimit.

“Në raportin e fundit të përbashkët të Institutit GAP, Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në të cilin kemi monitoruar arritjen e objektivave të Agjendës për Reforma Evropiane për periudhën janar-shtator 2018, del se në shumicën e objektivave, qeveria dhe kuvendi tashmë janë më shumë se një vit me vonesë. Disa nga objektivat kanë ngecur në fazën finale, pra në miratimin e projektligjeve nga ana e kuvendit, por shumë sosh as nuk kanë filluar”, shkruhet në reagim.

“Për secilën objektivë janë paraparë një numër veprimesh të veçanta, e që në total për tri shtyllat kanë qenë 108 veprime që dalin nga ERA 2017 si dhe vendimi i qeverisë nr. 01/13 për prioritetet kyçe të Agjendës për Reforma Evropiane 2018. Në bazë të të gjeturave tona del se në shtyllën e parë, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, janë plotësuar gjithsej 62% e veprimeve, 24% janë plotësuar pjesërisht dhe kanë mbetur të paplotësuara rreth 14% të tyre. Në shtyllën e dytë, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, rreth 46% e veprimeve janë plotësuar në tërësi, 9% janë realizuar pjesërisht, dhe 34% e veprimeve mbesin të paplotësuara dhe 11% janë në realizim e sipër. Dhe në shtyllën e tretë, punësimi dhe arsimi, janë plotësuar rreth 45% e veprimeve, 33% e veprimeve janë plotësuar pjesërisht dhe të pa plotësuara mbesin 22% e tyre”.

“Këto rezultate të ulëta vijnë si pasojë e një qasje thellësisht neglizhuese të institucioneve kosovare në raport me kriteret e BE-së. Instituti GAP, PIPS dhe GLPS edhe përmes këtij reagimi i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Parlamentit të trajtojnë obligimet dhe masat e dala nga MSA dhe ERA në mënyrë serioze dhe sistematike. Në vend se të shihen si dokumente për të kënaqur BE-në, këto masa duhet të shihen si përmirësim substancial i bazës ligjore dhe institucionale, rrjedhimisht përmirësim i jetës së qytetarëve të Kosovës”, përfundon njoftimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme