Mbi 60% e popullsisë besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia, sipas hulumtimit të GSLP-së

Prishtinë | 13 Maj 2023 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ja mbajtur një konferencë për medie me temën Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetarë ndaj këtyre institucioneve”.

Në këtë konferencë, GLPS shpalosi të gjetura nga Botimi i Tetë i Indeksit të Performancës së Institucioneve të Sundimit të Ligjit në Kosovë (RoLPIK – Edicioni 8).Pjesa e parë e këtij raporti paraqet perceptimin e qytetarëve në raport me institucionet e drejtësisë, duke përfshirë ndikimin e politikës dhe ryshfetit në gjyqësor, të dhënat për shkallën e kënaqshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, dhe sa vlerësohen si të pavarur gjyqtarët gjatë vendimmarrjes.Po ashtu, nga anketa e realizuar, raporti ofron të dhëna edhe sa i përket vlerësimit qytetarë për nismat për Vettingun në drejtësi dhe për konfiskim civil të pasurisë së pajustifikueshme, nivelin e sigurisë në Kosovë dhe sa meritore i shohin qytetarët dënimet në rastet e dhunës në familje/dhunës në baza gjinore.

Pjesa e dytë e raportit përfshin të dhënat statistikore lidhur me efikasitetin e treguar nga Gjykatat dhe Prokurori i Shtetit gjatë periudhës 2013 deri më 2022, dhe buxhetin që ndahet ndër vite për KGJK-në dhe KPK-në, si institucione që menaxhojnë me sistemin gjyqësor dhe prokurorial në vend.

Të gjeturat kryesore të prezantuara gjatë konferencës së sotme i gjeni të përmbledhura më poshtë.

  • Mbi 60% e popullsisë besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia;
  • Gjykata dhe Prokuroritë mbesin institucionet që influencohen më së shumti nga politika;
  • Rreth 50% e të anketuarve vlerësojnë se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga dukuria e mitmarrjes;
  • Gjykatat dhe Prokuroritë vazhdojnë të shihen si institucionet që më se paku janë efektive në luftën kundër korrupsionit, pavarësisht se rreth 75% e të anketuarve janë shprehur të gatshëm për të raportuar rastet e korrupsionit dhe veprat e tjera penale.
  • Më shumë se gjysma e të anketuarve kanë mohuar se sistemi i drejtësisë është përmirësuar në vitet e fundit;
  • Qytetarët ndërmjet vlerave 1= aspak të mira dhe 5= plotësisht të mira, me notën 3.6 e vlerësojnë iniciativën e Qeverisë së Kosovës (Ministrisë së Drejtësisë) për reformimin e sistemit të drejtësisë, përfshirë Vettingun dhe konfiskimin civil të pasurisë së pajustifikueshme;
  • Lidhur me nivelin e sigurisë në vend, pas konfliktit të armatosur Ukrainë – Rusi, brenda segmentit 1 = aspak të sigurtë dhe 5 = plotësisht të sigurtë, qytetarët e kanë vlerësuar nivelin e sigurisë në Kosovë më vlerën 3.42;
  • Të pyetur se sa parandaluese i shohin dënimet ndaj kryeseve të dhunës në familje/ dhunës në baza gjinore, ku ndërmjet vlerave 1 dhe 5, nga mesatarja e përgjigjeve rezulton se këto dënime janë vlerësuar mesatarisht parandaluese;
  • Lidhur me efikasitetin e treguar të Prokurorit të Shtetit dhe Gjykatave, gjatë vitit 2022, këto institucione kanë zgjidhur rreth 32% të lëndëve që kanë pasur në punë. Me një shkallë të tillë të efikasitetit nënkuptohen se këtyre institucioneve do t’u duhen më shumë se 3 vite për t’i përfunduar të gjitha lëndët që kanë në punë, me kusht që brenda kësaj periudhe kohore nuk pranojnë lëndë të reja;
  • Nga të dhënat e ndarjeve buxhetore për vitin 2022, vërejmë se buxheti i Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe i Këshillit Prokurorial të Kosovës, nuk përbëjnë as 2% të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme