Instituti GAP publikon raportin “Menaxhimi financiar dhe transparenca e ndërmarrjeve publike”

Prishtinë | 29 Dhj 2022 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, të mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë, kanë mbajtur konferencë për media, ku janë prezantuar gjetjet e raportit “Menaxhimi financiar dhe transparenca në ndërmarrjet publike”.

Nga të dhënat e paraqitura rezulton se ndërmarrjet publike (NP) në Kosovë vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, të cilat jo në pak raste po ndikojnë edhe në cilësinë e shërbimeve që ofrohen. Këto ndërmarrje kryejnë shërbime me rëndësi primare për qytetarët si: menaxhimi dhe ofrimi i shërbimeve të ujit, kanalizimit, telekomunikimit, menaxhimit të mbeturinave, shërbimeve postare, energjetike dhe të transportit.

Raporti tregon se pjesa më e madhe e ndërmarrjeve publike kanë probleme në planifikimin strategjik sa i përket investimeve dhe zgjerimit të shërbimeve, probleme menaxheriale dhe operative, mbingarkesë me staf dhe operim me humbje. Një numër ndërmarrjesh, siç është Telekomi, në kohën kur do të duhej të gjeneronte dividentë, është varur nga subvencionimi i qeverisë për të mundësuar funksionimin në treg.

Viti më sfidues për këto ndërmarrje ka qenë periudha e pandemisë, veçmas viti 2020, ku nga 17 NP qendrore janë gjeneruar të hyra në vlerë prej 329 milionë euro, përderisa për periudhën e njejtë, shpenzimet kanë qenë 333 milionë euro. E vetmja ndërmarrje në këtë periudhë që ka funksionuar me fitim ka qenë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila në vitin 2020 ka pasur fitim neto 24 milionë euro.

Në vitin 2021, nga 17 NP, 11 prej tyre kanë operuar me fitim, duke përfshirë KEK-un, Trepçën, Postën dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina.

Te ndërmarrjet rajonale të ujësjellësit, problemet më të theksuara janë shkalla e ulët e faturimit dhe arkëtimit. Në vitin 2020, mesatarja e faturimit tek të gjitha ndërmarrjet rajonale të ujit nuk ka kaluar 50% të ujit të shpenzuar.

Në anën tjetër, shpenzimet që kanë shënuar rritje më të madhe kanë qenë ato për kategorinë e pagave. Paga mesatare në NP është 768 euro, përderisa në sektorët e tjerë publik, kjo mesatare është 612 euro. Në sektorin privat, paga mesatare është 418 euro apo për 350 euro më e vogël se ajo në NP.

Po ashtu, tek ndërmarrjet publike qendrore, nga të dhënat e vitit 2017, vërehet se numri më i madh i të punësuarve janë burra. Tek ndërmarrjet sikur KEK-u, punësimi i grave është në nivelin e vetëm 5.5%, tek Infrakos 6%, KRU Prishtina 12% dhe Telekomi 26%.

Ndërmarrjet publike qendrore kanë po ashtu probleme të theksuara me transparencën, ku mungojnë një numër i madh i dokumenteve që do të duhej të ishin publike në faqet e tyre zyrtare në internet. Në këtë drejtim nuk bën përjashtim as Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NjPMNP), në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, e cila dokumentet e fundit të publikuara në faqen e saj që lidhen me ndërmarrjet publike janë të vitit 2018. Kjo njësi nuk publikon tash e disa vite as raportin e performancës për ndërmarrjet publike, ndonëse kjo obligohet me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Të ngjashme