Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se respektimi i të drejtave të njeriut dhe integrimi i grupeve të margjinalizuara është sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet më të zhvilluara.
Këto komente ai i ka thënë në konferencën e organizuar nga USAID-i m etemën “Të drejtat e njeriut dhe integrimi i grupeve të margjinalizuara në Kosovë”.
Ai ka shtuar se që nga fillimi i ndërtimit të shtetit tonë, legjislacioni i Republikës së Kosovës është draftuar ashtu që të promovojë, të mbrojë dhe të garantojë të drejtat e njeriut.
“Kushtetuta e Kosovës, si akti me i lartë juridik i vendit, garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të parapara në vetë kushtetutë”, ka theksuar Thaçi.
Sipas tij, një hap të rëndësishëm në ketë fushë, Republika e Kosovës ka bërë edhe me nxjerrjen e ligjit për mbrojtje nga diskriminimi, ligjit për barazi gjinore dhe Ligjit për Avokatin e popullit, që kanë hyrë në fuqi nga qershori i vitit 2015.
“Republika e Kosovës ka mekanizma institucionalë për mbrojtjen, promovimin dhe garantimin e të drejtave të njeriut. Është duke u bërë punë e mirë nga këta mekanizma institucionalë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se tani është i nevojshëm forcimi i tyre, në mënyrë që të garantohen të drejtat dhe liritë për të gjithë qytetarët.
Ai ka thënë se nuk do të ketë demokraci të mirëfilltë dhe sundim të ligjit nëse qytetarëve nuk u sigurohet respektimi, mbrojtja dhe zbatimi i të drejtave të tyre.
“Shoqëria kosovare po kalon nëpër disa tranzicione – në atë ekonomik, shoqëror e kulturor. Diskriminimi, represioni dhe lufta i kanë penguar këto tranzicione. Tani është koha t’i vazhdojmë ato dhe të ecim përpara”, ka shtuar presidenti.
Ai gjithashtu tha se pret rekomandimet të cilat i ofron USAID-i në mënyrë që të marrin për sipër përgjegjësitë për të përmirësuar ato të cilat janë shqetësime për shoqërinë kosovare.
Zëvendësambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland, ka thënë se gjithpërfshirja është e drejtë shoqërore dhe ka të bëjë me përfshirjen e të gjithë atyre që përballem me paragjykime shoqërore.
“Shpreh përkrahjen edhe për Ligjin për Liritë Fetare, ky ligj mbron të drejtat dhe liritë fetare dhe do të luftojë terrorizmin. Nuk mund të ia lejoni vetes që t’i lejoni njerëzit e juaj prapa. Vendet e ndryshme i përmbushin qëllimet e tyre kur i përfshijnë të gjitha shtresat e shoqërisë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Kosova ka përparuar shumë nga shpallja e Pavarësisë. Ajo përmendi disa ligje të cilat kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të njeriut dhe qasjen nëpër shkolla për personat me aftësi të veçanta.
“Sfidat ende mbesin për personat me aftësi të kufizuara pasi ende nuk kanë qasje në Gjykata, Komuna dhe institucione të tjera. Kosova ka arritur përparim të madh por ligjet nuk mjaftojnë”, tha ajo.
Gjithashtu Hyland, inkurajoi Kosovën për të punuar ende në këtë çështje duke shprehur mbështetjen e Ambasadës për cilindo hap që bënë Kosova drejt respektimin e të drejtave të njeriut.