Integrimi i veriut mbetet në letër, analistët kërkojnë dialog me serbët në Kosovë

Prishtinë | 21 Nën 2021 | 08:01 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Integrimi i pjesës veriore në sistemin e vendit, po vazhdon të jetë sfidë për secilën Qeveri në Kosovw. Ndonëse partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka proklamuar idenë e dialogut të brendshëm me serbët në atë pjesë, kjo gjë ende nuk ka filluar.

Ish-kryetari i këtij subjekti, Visar Ymeri, i tha Ekonomia Online se kjo ide e VV-së duhet mirëmbajtur dhe zbatuar, teksa shton se kjo nuk duhet të ndodh përmes forcës.

“Mendoj që Lëvizja Vetëvendosje është e pakta nga partitë politike që e kanë pasur për një kohë të gjatë idenë e dialogut të brendshëm dhe ky dialog i brendshëm ndërmjet institucioneve publike dhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, e sidomos pakicës serbe, është ide që duhet mirëmbajtur e duhet zbatuar sepse e kemi një problem të jashtëzakonshëm për mosintegrimin e serbeve të veriut në kuadër të jetës politike institucionale të Kosovës dhe në këtë drejtim nuk mendoj se mund ta zgjidhin me forcë por duhet ta zgjidhin përmes dialogut dhe diskutimit”.

Gjithashtu, sipas tij, e gjithë kjo situatë ka të bëjw edhe me mungesën gati se të tërësishme të institucioneve në Prishtinë, për të pasur një qasje më gjithëpërfshirëse për t’i integruar serbët e veriut të Kosovës në sistemin e vendit.

“Po kontakti i parë me ta nuk ka qenë dashtë të jetë policia por diskutimi, dhe unë nuk e kuptoj pse kryeministri i Kosovës nuk e bën asnjë diskutim sado të vogël që të ketë me serbët që jetojnë në veri. Me përfaqësues të tyre politike e të shoqërisë civile, dhe një pikëpyetje e madhe është se a ka plan Qeveria për pjesën e veriut, dhe nëse ka plan a është ky plan publik, a e dimë ne se çfarë do të bëjmë me veriun, dhe më e rëndësishmja është se a u kemi treguar serbëve të veriut se çfarë kemi në plan të bëjmë me veriun, pra çka u ofron Republika e Kosovës në mirëqenien e tyre”, tha Ymeri.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, thotë se problemet me atë pjesë duhet të zgjidhen me mjete politike, teksa shton se e kundërta mund të sjellë pasoja të rënda.

Ai thotë se reciprociteti me Serbinë që funksionon për veriun e vendit duhet të vlejë edhe për Luginën e Preshevës.

“Mendoj që në veri institucionet e Kosovës funksionojnë në nivel shumë bazik, për shkak të situatës së tensionuar që ekziston me Serbinë dhe veriun, dhe problemi në veri është problem i thellë politik dhe këto vetëm me mjete politike mund të zgjidhen, e kushdo që mendon ndryshe gabon, dhe e vetmja mundësi që të zgjidhen këto probleme janë marrëveshjet politike”, tha Murati, teksa shton se Kosova duhet të zgjidh problemin me Serbinë dhe ta zbatojë reciprocitetin si në veri poashtu edhe në Luginë.

Përderisa njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se faktori ndërkombëtar duhet të punojë më shumë dhe të jetë i ndërlidhur me pushtetin qendror dhe atë lokal me projekte të ndryshme, me qëllim të integrimit të asaj pjese.

“Sidomos ato dy rastet që i pamë, sidomos reagimi i ekstremistëve serb të shtyrë nga Beogradi që të reagojnë me ato veprime,sidomos rasti i dytë ku u ndërmor një aksion për luftimin e krimit dhe korrupsionit, dhe kjo nuk duhet të bëhet me forcën policore por me afrimin e pjesës veriore”.

“Pra këto çështje nuk duhet të bëhen temë tabu, vetëm kur ndërmerren aksione të tilla por të ndodh një transformim i plotë i veriut dhe i serbëve në vijat shtetërore të Kosovës. Faktori ndërkombëtar duhet të punojë dhe të jetë i ndërlidhur me pushtetin qendror dhe atë lokal me projekte të ndryshme, me qëllim të integrimit”, tha ai.

Të ngjashme