Intelektualja dhe sociologia e njohur serbe, Vesna Peshiq, ka thënë se është habitur përse në vendin e saj po bëhet problem çështja e targave të Kosovës kur “tashmë Kosova është e pavarur”.
Të hënën, Qeveria e Kosovës nisi me zbatimin e reciprocitetit për targa duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës, njëjtë siç ka vepruar disa vjet Serbia me ato të Kosovës.
“Nuk e di pse serbët e bëjnë problem vendosjen e targave të Kosovës, kur shqiptarët në Serbi duhet të vendosnin targat serbe. Kosova është e pavarur, pavarësisht nëse është anëtare e disa organizatave ndërkombëtare”, ka shkruar ajo në një postim në Twitter.
Që dy ditë, qytetarë serbë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë.