Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e dikastereve qeveritare si dhe institucioneve ndërkombëtare të përfshira në procesin e përgatitjes për fillimin e aplikimit të sistemin publik të sigurimeve shëndetësore.
Ky takim, ku ishin të pranishëm edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Luksemburgut, ambasadori i Zvicrës, përfaqësuesit e Bankës Botërore, dhe ministrat e Shëndetësisë, Financave dhe Punës e Mirëqenies Sociale, si dhe drejtuesit e agjencive e mekanizmave tjerë qeveritarë, kishte për qëllim koordinimin e përgatitjeve për funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Në këtë kontekst, u theksua nevoja e përshpejtimit të përgatitjeve me qëllim të kompletimit të bazës ligjore, përgatitjes administrative, teknike dhe infrastrukturore për shërbimet që do të ofrohen në kuadër të sigurimit shëndetësor.
Të pranishmit shprehën përkushtimin e tyre në finalizimin e këtyre punëve.
Kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar angazhim të shtuar nga ana e dikastereve qeveritare në mënyrë që të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme për funksionalizimin e Fondit, si dhe që të ngushtohet hendeku ndërmjet periudhës kur do të fillojë mbledhja e premiumeve dhe fillimit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka theksuar nevojën e përcaktimit paraprak të një pakoje të përballueshme të shërbimeve shëndetësore e cila do të ofrohet në kuadër të sigurimit shëndetësor, që do të garantonte shërbimet e parapara, do të rriste kualitetin e trajtimeve të ofruara shëndetësore, si dhe do të ndikonte në uljen e shpenzimeve të qytetarëve për shërbime shëndetësore.