Situata epidemiologjike kërcënohet nga variante të ndryshme, MSh-ja thirrje qytetarëve që të vaksinohen plotësisht

Prishtinë | 04 Dhj 2021 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë një ditë më parë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen plotësisht pasi situata epidemiologjike kërcënohet nga variante të ndryshme të coronavirusit.

Duke qenë se një numër i qytetarëve pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, nuk shkojnë për të marrë dozën e dytë në periudhën brenda katër javësh (28 ditë pas marrjes së dozës së parë), Ministria e Shëndetësisë, rikujton se certifikata e tyre me vetëm një dozë do të përdoret si dëshmi vetëm nëse ajo është jo më e vjetër se 4 javë apo nëse testi RT-PCR është kryer, në 48 orët e fundit krahas marrjes së një doze.

“Ministria e Shëndetësisë u rikujton qytetarëve se në kuadër të masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  pandemisë COVID-19, të marra nga Qeveria e Kosovës me datë 30 nëntor 2021, është vendosur që nga data 6 dhjetor 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19”, thuhet në komunikatë.

Në rast se nuk është i vaksinuar me dy dozat, qytetari duhet të posedojë Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër  (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë; apo Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

“Duke qenë se një numër i qytetarëve pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, nuk shkojnë për të marrë dozën e dytë në periudhën brenda katër javësh (28 ditë pas marrjes së dozës së parë), Ministria e Shëndetësisë, rikujton se certifikata  e tyre do të përdoret si dëshmi vetëm nëse ajo është jo më e vjetër se 4 javë apo nëse testi RT-PCR është kryer, në 48 orët e fundit krahas marrjes së një doze.

Qytetarëve, të cilët nuk e marrin dozën e dytë brenda periudhës katër javore, nuk do t’u merret si dëshmi certifikata vetëm me një dozë, përveç në rastet kur ata prezantojnë dëshmi mjekësore që kanë kundër-indikacione shkencërisht të vërtetuara për mos-vaksinim. Në të kundërtën duhet ta paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 48 orë, krahas certifikatës me vetëm një dozë të marrë”, thuhet më tej.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të cilët nuk e kanë kompletuar procesin e vaksinimit duke e marrë vetëm njërën dozë, që ta marrin edhe dozën e dytë sa më parë për t’u mbrojtur nga virusi dhe në të njëjtën kohë për ta lehtësuar lëvizjen e tyre, sikurse edhe qytetarëve të tjerë që ende nuk janë vaksinuar, që ta bëjnë këtë, sepse situata epidemiologjike sa i përket COVID-19 ndonëse këtyre ditëve është e qetë në Kosovë, ende është e brishtë dhe kërcënohet nga variante të ndryshme të virusit SARS COV-2 dhe nga mos vaksinimi i një pjese të popullatës.

“MSh u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë qendrat statike shumica prej të cilave punojnë edhe gjatë fundjavës, ekipet mobile dhe të vaksinohen gjatë tërë javës dhe kudo, në secilën komunë të Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës. 


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme