Interesat dhe mospajtimet politike po i bllokojnë dy institucione vitale për Kosovën

Prishtinë | 24 Maj 2018 | 17:30 | Nga

Dy institucione të pavarura të vendit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Gjykata Kushtetuese  pothuajse janë bërë jofunksionale, për shkak të interesave e mospajtimeve mes partive politike.

KQZ-ja është jofunksionale qe më shumë se një muaj, pasi anëtarëve të saj iu ka skaduar mandati, ndërsa partitë politike ende nuk kanë dërguar në Presidencë propozimet e tyre.

Në të njëjtën rrugë është duke shkuar edhe Gjykata Kushtetuese,  pas dështimit në javën e kaluar të Kuvendit të Kosovës për votimin e anëtarëve të Kushtetueses.

Ky institucion nga mesi muajit qershor do të jetë jofunksional, pasi anëtarëve të saj u skadon mandati, ndërsa deri të një votim tjetër për anëtarët e rinj do të duhen edhe disa muaj.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka thënë për lajmi.net  se është për keqardhje se si ende po vazhdojnë pretendimet e partive politike ndaj institucioneve të pavarura dhe të drejtësisë.

Ai ka thënë se mos votimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese  është  përpjekje e subjekteve politike për t’i shtyrë përpara kandidatët e tyre të preferuar e në mos edhe militant partiake të cilët më vonë mund të punonin me ndërhyrje nga politika.

“Edhe kësaj radhe po na përsëritet një riciklim veprimesh me pretendime, se ndryshe nuk mund të interpretohet për të pasur interferim politikë dhe ndikim në punën e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Baraliu.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar nuk arritën të votojnë për emërimin e tre anëtarëve  shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa votuan  për atë të komunitetit serb, Radomir Laban për të cilin u tha se ka të kaluar kriminale, e dekretimin e të cilit ka refuzuar të bëjë edhe presidenti Thaçi deri në zbardhjen e  të kaluarës së tij.

Për mosvotim të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar dhe deputeti  i AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili ka bërë fajtorë partitë opozitare, ndërsa ka thënë se funksionalitetit i Gjykatës Kushtetuese është vënë në dyshim.

“E dhimbshme që Parlamenti nuk mundi t’i votojë gjyqtarët e ri të Gjykatës Kushtetuese, duke bërë kështu që të rrezikohet funksionimi i kësaj Gjykate!”, ka shkruar ndër të tjera Nitaj.

Në një tjetër institucion i rëndësishëm i cili ka mbet jo funksional është KQZ.

Kjo pasi partitë politike ende nuk kanë dorëzuar propozimet e tyre në Presidencë.

E kjo vonesë është duke ndodhur kryesisht nga mosmarrëveshjet me partive të koalicionit PAN, lidhur me numrin e përfaqësimit të anëtarëve në KQZ.

Ndërsa për Mazllum Baraliun edhe ky institucion po bllokohet për shkak të ambicieve të partive politike.

“Dëshira për përftime të subjekteve politike, se kush ti marrë  dy ose një anëtarë, ka tejkaluar të gjitha mandatet kushtetuese të parapara për propozimin,  a po zgjedhjen e anëtarëve të rijnë të këtij institucionit të pavarur”, ka thënë Baraliu.

Valdete Daka e rizgjedhur edhe në një mandat në krye të KQZ-së, ditë më parë ka thënë se ky institucion është në një situatë të çuditshme.

Të ngjashme