“Interesat strategjike” të Tiranës karshi kërkesës amerikane për nismën kineze

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se për Shqipërinë, SHBA-ja ka qenë dhe mbetet pikë referimi e palëvizshme. Ai këtë koment e bëri duke u përgjigjur në pyetjen se a do të dalë Tirana zyrtare nga nisma kineze 17+1, kërkesë të cilën e bëri presidenti amerikan, Donald Trump në letrën që i dërgoi Ramës më 1 tetor.

“Por – dhe këtu është një ‘por’ shumë e vogël, që ne dëgjojmë, respektojmë dhe vendosim në bazë bindjesh”, tha Rama.

“Sa i përket lëvizjeve konkrete, këto janë çështje tona. Si çështje e jona, ne i trajtojmë me shume kujdes dhe vendosim në momentin e duhur, gjithmonë në funksion të interesave strategjike të Shqipërisë, dhe asnjëherë duke harruar që ne jemi aleat strategjik të SHBA-së dhe të BE-së, dhe në politikën e jashtme, e përsëris, ne jemi të linjëzuar me BE-në”, shtoi Rama gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përmes një letre dërguar Ramës, i bëri thirrje Shqipërisë që ta lërë formatin 17+1 të Kinës, ndërsa ka thënë se është i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve.

Formati kinez 17+1 është nisma e Qeverisë kineze për të promovuar marrëdhëniet e biznesit dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të ish-bllokut komunist të Evropës Qendrore dhe Lindore.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Evropë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit”, thuhet në letrën e presidentit amerikan.

“Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë”, shtoi Trump.

“Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni”, thuhet në letër.

Në këtë nismë bëjnë pjesë edhe: Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Republika e Çekisë, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia.

Çka është nisma kineze 17+1?
Nisma kineze 17+1, e cila njihej si 16+1 deri në pranimin e Greqisë, u krijua më 2012 me iniciativën e Qeverisë kineze dhe ka për qëllim përmirësimin e raporteve të biznesit dhe investimeve brenda iniciativës kineze “Rruga e Mëndafshit”. Kjo iniciativë, e cila vlerësohet deri në 1 trilion dollarë, ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve tokësore dhe detare për të lejuar eksportet kineze të lëvizin drejt Perëndimit.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të BE-së kanë kritikuar projektin e Kinës dhe huat që ky vend jep për infrastrukturën rajonale, duke paralajmëruar se këto hua, kanë zhytur disa vende në zhvillim në borxhe, të cilat ata nuk mund t’i paguajnë.(rel)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme