Interesimi i tifozëve për ta përcjellë fazën “Final 8” të Kupës së Kosovës, e cila do të zhvillohet në Rahovec, është jashtëzakonisht i madh.
Klubi i basketbollit Rahoveci i ka hedhur në treg sot në mëngjes biletat e ditës së parë të kësaj gare, të cilat kushtojnë 2 euro, e me të cilat mund të shikohen tri ndeshje.
Vetëm pak orë pasi dolën në shitje biletat, klubi i basketbollit Rahoveci njofton se janë shitur 1600 sosh.
“1600 bileta të shitura për afro dy orë, sipas të dhënave nga dyqani zyrtar i klubit”, shkruan KB Rahoveci.
Kjo është hera e dytë që faza finale e Kupës së Kosovës do të organizohet në Rahovec.
Edhe vitin e kaluar, “Vreshtarët” e kishin organizuar këtë fazë të Kupës.
Siç dihet, fituese aktuale e këtij trofeu prestigjioz është Sigal Prishtina./ge