Adoptimi apo birësimi i fëmijëve është një praktikë mjaft e përhapur në shoqëritë njerëzore që nënkupton marrjen nën kontroll të fëmijëve të cilët për shkaqe të ndryshme nuk janë nën përkujdesje të prindërve të tyre biologjik.
Në këtë aspekt, interesim për adoptim ka edhe nga familjet kosovare. Sipas Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale ky interesim është rritur këtë vit në krahasim me vitet e paraprake.
Bazuar në të dhënat zyrtare për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar dhe adoptim në Kosovë, 15 fëmijë të braktisur janë adoptuar dhe strehuar nëpër familje të ndryshme vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2017.
Nga 15 kërkesat për adoptim, tre nga ato janë për birësim ndërkombëtar. Kështu të paktën deklaron MPMS për AktivPress.
Në anën tjetër, në bazë të Raporteve nga Qendrat për Punë Sociale komunale të vendit, numri fëmijëve të braktisur ka shënuar rënie viteve të fundit.
Ndërsa sa i përket procedurave, ku shpesh familjet pretendente janë ankuar se janë të stërzgjatura, MPMS thotë se kohëzgjatja e procesit të adoptimit është fleksibile.
“Asnjëherë nuk mund të përcaktohet periudha se sa mund të zgjatë i gjithë procesi deri në finalizim të Adoptimit. Periudha kohore e këtij procesi varet nga numri i fëmijëve të braktisur e që potencialisht mund të mbesin të gatshëm për adoptim. Si rrjedhojë e kësaj, kohëzgjatja e procesit të adoptimit është fleksibile”, thuhet në përgjigjen e tyre.
“Periudha kohore detyruese që përfshihet në këtë proces është e përcaktuar në bazë të Udhëzimit. Administrativ 09/2014 për Rregullimin e procedurave të Adoptimit në Kosovë ku periudha e vlerësimit të familjes potenciale adoptuese duhet të përfundoj brenda tre muajve, pas pranimit të kërkesës nga Gjykata Themelore ku palët duhet ta bëjnë fillimisht kërkesën. Si dhe, në bazë të Ligjit për Familjen i Kosovës 2004/32 periudha provuese mund të zgjatë deri në tre muaj. Ndërsa faza tjetër e procesit të adoptimit nuk mund të precizohet për shkak të arsyeve të përmendura më lartë”, thuhet aty më tej.