Skuadra e Interit është futur në garë për shërbimet e mbrojtësit të krahut të majtë, argjentinasit Nicolas Tagliafico, kanë njoftuar të shtunën mediumet në Itali.
Mësohet se Interi po e sheh Tagliaficon si përforcim të duhur për krahun e mbrojtjes pasi në fund të sezonit do të largohet anglezi Ashley Young që ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon në verë.
Për transferimin e Tagliaficos, Interi është i gatshëm t’i paguajë Ajaxit rreth 15 milionë euro dëmshpërblim.
Tagliafico 28-vjeçar, më herët ka deklaruar se synon që edicionin tjetër të luajë në një kampionat të fortë dhe te Interi po shpresojnë ta bindin Ajaxin në lirimin e tij.
Tagliafico ka kontratë me Ajaxin deri në vitin 2023 kurse këtë sezon ka shënuar një gol dhe ka bërë tri asistime në 38 ndeshje.
Krahas Interit, interesim për Tagliaficon kanë shfaqur edhe Atletico Madridi, Leeds Unitedi e Manchester City.