Sulmuesi i Chelseat, Olivier Giroud, pritet të ribashkohet me Antonio Conten në Inter, pasi tani ka marrë edhe zyrtarisht ofertë nga zikaltrit.
Francezi e gjen veten në skuadrën e Chelseat si opsion të tretë pas Tammy Abraham dhe Michy Batshuayit, përderisa i kanë mbetur vetëm edhe gjashtë muaj në kontratën e tij aktuale në Stamford Bridge.
33-vjeçari ishte lënë në stol për fitoren me rezultat 2:0 të Chelseat kundër Nottingham Forestit në rundin e tretë të FA Cup të dielën, mirëpo ai doli në fushë pas ndeshjes për t’i përshëndetur tifozët – veprim që u vlerësua si lamtumirë.
Lampardi raportohet se është në kërkim të një sulmuesi të ri në afatin kalimtar të janarit dhe kjo bën që Giroud të ketë gjasa të ketë edhe më pak minuta lojë së shpejti.
Goal raporton se përfaqësues të Interit dhe të Giroudit u takuan mes vete të enjten, për ta diskutuar mundësinë e një transferimi.
Giroudit iu ofrua kontratë deri më qershor të vitit 2022 dhe francezi u shpreh i gatshëm ta fillojë një sfidë të re, pas dy vjetësh në Stamford Bridge.
Interi ka pranuar t’i paguajë atij pagë të njëjtë me atë që e merr në Chelsea – katër milionë euro këtë vit, ndërsa nga 3.5 milionë për dy vjetët e ardhshme.
Tani Interi tani do të duhet ta negociojë një marrëveshje edhe me Chelsean, pasi që për francezin janë interesuar edhe Aston Villa dhe Newcastle Unitedi.