Komuna e Malishevës, ka njoftuar se ka intervenuar në të gjitha rrugët e dëmtuara gjatë vërshimeve.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se “Ekipet e angazhuara për intervenim në rrugët e Komunës së Malishevës, ku ka pasur rrëshqitje të dheut dhe rërës, i kanë pastruar të gjitha rrugët dhe më nuk ka problem në qarkullim”.
Po ashtu, në njoftim thuhet se pas kësaj do të intervenohet në ura, ku ka pasur gërryerje të tokës, si pasojë e vërshimeve.
“Është intervenuar në mbylljen e gropave në qytet, që janë hapur gjatë vërshimeve, pastaj në Turjakë, në Lubizhdë, në 3 lagje të fshatit Vërmicë, në dy rrugë në Pagarushë, në Marali dhe në Carrallukë”, vijon njoftimi.
Drejtoria ka bërë të ditur se tani do të merren me sanimin e urave, aty ku ka pasur gërryerje afër urave, me qëllim të sigurimit të urave dhe eliminimin e rrezikut të mundshëm.
Po ashtu, është duke vazhduar puna e komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.