Invalidët civilë të Kosovës kërkojnë dëmshpërblim nga Serbia

Prishtinë | 22 Qer 2017 | 10:11 | Nga

Shoqata e të Plagosurve Civilë nga Minat (SHPCM) ka kërkuar nga shteti serb që ta bëjë dëmshpërblimin e gjymtyrëve të humbura gjatë dhe pas mbarimit të luftës.

Kjo kërkesë i është drejtuar direkt kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“Luftën të cilën e bëri shteti juaj la pasoja të mëdha dhe shumë të dhimbshme, ku shumë qytetarë të pafajshëm humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën pa gjymtyrët e tyre. Por, fatkeqësisht fundi i saj nuk ishte edhe fundi i vuajtjeve për ne, tokat tona të minuara nga ju u bënë shkaktare që shumë qytetarë të Kosovës të paguajnë me jetë ose të mbesim përjetësisht me lëndime të rënda trupore”, thuhet në letrën që i është drejtuar të mërkurën edhe Presidencës së Kosovës, ku i kërkohet që t’i përcillet ky mesazh palës serbe gjatë dialogut me Serbinë.

Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Avni Lubovci, ka thënë se si pasojë e minave të Serbisë 117 persona humbën jetën e 450 të tjerë u lënduan fizikisht, duke humbur kështu gjymtyrët.

“Si fëmijë që isha isha i vetëdijshëm për ndodhitë rreth meje, por dëshira për të eksploruar, dëshira për të lozur nuk ishte shuar, kur në ato lojëra të miat nëpër tokat tona m’u shndërruan në ankth jetësor, unë shkela në njërën nga minat e juaja dhe si pasojë humba këmbën time”, i është drejtuar në këtë letër Lubovci kryeministrit të Serbisë.

Lubovci thotë se 17 vjet prej asaj dite asnjëherë askush nuk dha llogari për këtë.

“Personat të cilët humbën gjymtyrët e tyre gjatë luftës dhe pjesa tjetër pas luftës. Këta persona mbetën për fajin tuaj, mbetën pa gjymtyrët e tyre. Edhe pse kanë kaluar vite këta persona vuajnë nga ai tmerr, sepse ishin vetëm fëmijë. Shteti juaj u bë shkaktar që ne nuk mund ta vazhdojmë jetën në mënyrë normale si gjithë të tjerët. Përveçse mbetëm pa gjymtyrë, mbetëm të paaftë edhe për të punuar e për ta siguruar mbijetesën tonë”, thotë Lubovci duke fajësuar shtetin serb që u bë faktori kryesor që kjo kategori të bëhet barrë e rëndë për familjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme