Ministria e Punës po përgatit ligj për harmonizimin e skemave pensionale

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 11:12 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka mbajtur tryezën “Sistemi pensional në Kosovë-Sfidat dhe mundësitë”, në të cilën u diskutuan mundësitë për përmirësimin e kushteve të pensionistëve dhe invalidëve.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Lulzim Leci tha se rreth 200 mijë persona janë përfitues të skemës pensionale. Ai bëri të ditur se  për ta është duke u përgatitur një ligj që do t’i harmonizonte të gjitha skemat pensionale, që siç ka thënë janë gjashtë aktualisht.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale menaxhon skema sociale të kategorisë të ndryshme të shoqërisë dhe iu ndajmë në ndihmë personave të moshuar dhe me nevojë që janë afër 200 mijë përfitues, por këto ligje janë të ndara veç e veç dhe paraqesin pengesa në zbatim dhe kjo është një nismë e mirë në harmonizim të mirë të ligjit që do inkuadronte të gjitha skemat në Kosovë”, tha Leci.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu tha se sistemi pensional aktual nuk ka bërë zgjedhje tash e 18 vite pas luftës, për këtë arsye diskutimet dhe tryezat e tilla janë të domosdoshme që të arrihet në një mirëqenie të përbashkët, raporton Ekonomia Online.

“Ne e mbështesim dhe përkrahim si komision këtë iniciativë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, sepse kanë të bëjnë me një sistem pensioni të unifikuar që kanë të bëjnë lidhjen e pensionistëve që tash nga lufta janë nëpërkëmbur dhe janë shkelur të drejtat me konventë ndërkombëtare dhe të punës”, tha Baftiu.

Kryetar i Federatës së Sindikatave të pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, Sylejman Metaj, tha se federata ka bërë përpjekje të cilat kanë qenë të pasuksesshme dhe se, sipas tij, kanë qenë kushtet e papërshtatshme të aprovohet një ligj i cili do të kënaqte nevojat e pensionistëve, të moshuarve, invalidëve etj.

“Ligjin e skemave pensionale, Federata e ka kundërshtuar para aprovimit. Kemi dhënë peticion në Kuvend dhe kemi bërë protesta për mosaprovim të ligjit mbi skema pensionale, sepse ky ligj për Federatën është ligj diskriminues me faktin që aty nuk merren shumë gjëra parasysh dhe mbetet si një trup i pagjymtyrë”.

Ai tha se në bazë të ligjit nuk është marrë parasysh stazhi i punës dhe kualifikimi që aty thuhet se merret parasysh, por në realitet kjo nuk ndodhë, raporton EO.

“Për këtë kemi kundërshtuar dhe kur kemi kundërshtuar dhe ligjin që ne e kemi përgatitur sipas rekomandimeve të Kuvendit, ligji është i përgatitur dhe mund t’i shërbejë komisioneve të ardhshme ta shohin drejtpërdrejt çfarë ligji ka qenë, sepse ai ligj ka qenë i punuar nga ekspertët më të njohur në Kosovë në 2005. Në 2006 është dhënë në aprovim në Kuvend dhe për 2 vota nuk ka mundur të kalojë me arsyetimin që nuk ka kosto, se kosto është e lartë dhe e papërballueshme”, tha Metaj.

Të ngjashme