Investimi 75 milionësh i pensioneve në fondin pranë falimentimit

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 10:50 | Nga

Pak ditë para se të arrestohej, ish guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, ishte informuar nga vartësit e tij për një investim të dyshimtë të parave të pensioneve në një institucion financiar jashtë vendit.

“Shefja e zyrës për mbikëqyrje në atë kohë Shkëndije Himaj më njoftoi se ka vërejtur një investim të dyshimtë të Trustit në një institucion financiar me probleme”, tregon Rexhepi në intervistën me vazhdime, dhënë për Gazetën Fjala.

Bëhet fjalë për 75 milionë euro në Fondin “Fortis”, kompania amë e të cilit, në momentin kur u investuan mjetet, në vitin 2010, ishte pranë falimentimit dhe po mbahej në jetë vetëm fal ndërhyrjes se qeverisë belge.

Atë vit kompania amë “Fortis” me të gjitha filialet dhe institucionet nën menaxhim të saj, u ble nga BNP Paribas për tu shpëtuar nga kriza financiare. Rexhepi pohon se me t’i marrë informatat, kishte urdhëruar stafin e tij për një inspektim të detajuar rreth këtij rasti.

Por ky hetim nuk u krye kurrë. Derisa, Rexhepi do të arrestohej me një mal akuzash për keqpërdorime nga Policia e Kosovës. Pas qëndrimit katër muaj burgim dhe një gjykimi maratonik, Rexhepi u shpallë i pafajshëm nga të gjitha akuzat për të cilat ngarkohej.

Trusti_i_Kursimeve

Dyshimet për lidhjet e këshilltarit të Thaçit me “Fortis”

Rexhepi thotë ta këtë nisur këtë hetim nën dyshimin se mund të jetë kurdisje e këshilltarit izraelit të kryeministrit Thaçi, Arie si dhe pas një takimi që kishte pasur me vet kryeministrin Thaçi në zyrën e këtij të fundit.

“Për habi, pas këtij takimi Trusti investoje rreth 75 milionë euro ne një fond të Belgjikës i quajtur “Fortis”, e cila ishte nën intervenimin e qeverisë belge me mjete emergjente për shkak te krizës qe e kishte goditur. Kurse disa muaj më vonë Besim Beqaj u emërua ministër i ekonomisë në qeveri”, rrëfen Rexhepi për Gazetën Fjala.

Në këtë takim temë diskutimi sipas Rexhepit ka qenë investimi i parave të trustit në bankat jashtë vendit.

“Në takim ishin Kryeministri Hashim Thaçi, zëvendës kryeministri Hajredin Kuqi, ministri Ahmet Shala, kryetari i bordit të Trustit Besim Beqaj, drejtori i Trustit Ardian Zalli dhe unë”, tregon Rexhepi i cili këtë takim e ndërlidh me atë paraprak me këshilltarin e Thaçit në Londër, i cili i kishte kërkuar të investoheshin paratë e nënë menaxhim të BQK-së në disa banka në Angli.

Aty Rexhepi kishte propozuar që Trusti të investoj edhe në bankat komerciale të Kosovës në pajtim me ligjin, deri në 5 për qind të mjeteve në një entitet të vetëm, duke arsyetuar se kjo në këtë kohë te krizës globale financiare do të kishte ndikim pozitiv dhe do të mundësonte rritjen e kreditimit të bankave.

“Kryeministri në mënyrë cinike e kundërshtoi propozimin tim, duke thënë se këto janë banka private etj. Ai filloi te më sulmoi gjoja për keqmenaxhim në bankë etj. Kjo më bëri të kuptoi se ky sulm ishte refleksion i refuzimit tim që ti pranoi kërkesat e këshilltarit të tij Ari”, tregon Rexhepi.

Gazeta Fjala ka pyetur zyrën e Presidentit të Kosovës, rreth akuzave të ish guvernatorit Rexhepi ndaj Presidentit Thaçi, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Edhe Besim Beqaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, aso kohe ishte Kryesues i Bordit në Trust ka refuzuar të flas për Gazetën Fjala lidhur me këtë çështje. Megjithatë, ai në një intervistë në KTV, të martën është munduar të sqaroi duke ia lënë përgjegjësin menaxhmentit aktual të Fondit të Kursimeve Pensionale.

“Trusti duhet të jap argumentet. Organet e drejtësisë duhet ta japin mendimin e vet”, ka thënë Beqaj duke mos dashur të komentoi deklaratat e ish guvernatorit Rexhepi.

Në anën tjetër, Rexhepi thotë se dyshimi i tij bazohet në faktin se investimi u krye pak kohë pas takimit me kryeministrin e atëhershëm Thaçi si dhe në faktin se institucioni ku ishin investuar këto mjete ishte pranë falimentimit.

Ky institucion financiar, me tu bërë ky investim ndërron pronësinë dhe Rexhepi urdhëron vartësit e tij të nisin hetimet rreth këtij investimi, siç e quan ai, të dyshimtë. Por Rexhepi rrëfen se gjithçka ishte vonë, pasi u arrestua.

Humbjet e Trustit nga investimi

Investimi prej 75 milionë eurosh në Fondin “Fortis” figuron në dy raportet vjetore të Trustit të Kursimeve Pensionale.

Atij të vitit 2009 dhe vitit 2010.

Trusti foto 1

Të dyshimtë këtë investim e bënë edhe dallimi i madh në investime mes këtyre dy vitesh.

Kështu në vitin 2009, sipas raportit të vet këtij institucioni, Trusti në Fortis investoi vetëm 4.1 milionë euro, derisa në vitin 2010 investoi plot 75 milionë euro, ani pse këtë vit të gjitha institucionet financiare nën emrin e ‘Fortis’ po mbaheshin në jetë vetëm fal ndërhyrjes se qeverisë belge.

Për pasojë pati rënie drastike nga kthimi i mjeteve të investuara në këtë Fond. Në raportin vjetor të Trustit për 2010 thuhet se “kthimi nga investimet më këtë fond për vitin 2010 ka qenë 0.49 për qind, kurse qysh prej anëtarësimit në këtë fond, me datë 16.10.2007, kthimi kumulativ neto në investime ka qenë 6.1 për qind”.

Investimi i Trustit në “Fortis” dyshohet të këtë qenë edhe i kundërligjshëm, sipas Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës. Aty parashihen katër raste ku Ligji specifikon kur mund të kryhen investime të ngjashme e që në atë kohë dyshohet të mos jenë plotësuar.

“Qëllimet e një investimi të arsyeshëm të Fondit pensional janë: (a). siguria e fondit pensional; (b). shumëllojshmëria e investimit; (c). fitimi maksimal në përputhje me sigurinë e fondit pensional dhe (d). mirëmbajtja e likuiditetit adekuat”, thuhet në këtë ligj.

Trusti arsyetohet me krizën

Ndërkohë zyrtarë të Trustit dhe Kursimeve Pensionale, tani Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, rënien në kthim të këtij investimi i kanë arsyetuar me krizën financiare.

Jeton Demi nga ky institucion ka thënë për Gazetën Fjala se Trusti në atë kohë ka rritur investimet në këtë fond të tregut të parasë së gatshme për arsye  të mbrojtjes së investimeve nga jostabiliteti i tregjeve.

Ai ka thënë se  në asnjë vit investimet përmes këtij fondi nuk kanë humbur vlerë, përkundrazi kanë qenë me fitime. Por raporti i vitit 2010 i Trustit, kohë kjo kur u investuan plot 75 milionë euro në “Fortis”, tregon për rënie të madhe të fitimit.

“Me rënien e normave të interesit të bankave qendrore të ekonomive të zhvilluara edhe kthimet në investime përmes këtij instrumenti kanë rënë. Kthimi nga investimet me këtë fond për vitin 2010 ka qenë 0.49 për qind, kurse qysh prej anëtarësimit në këtë fond, më datë 16.10.2007, kthimi kumulativ neto në investime ka qenë 6.1 për qind”, thuhet në këtë raport.

Sipas Demit, asetet ku ky fond specifik i ka investuar, kanë qenë të mbështetura me instrumente me rejting AAA – dmth rejtingu (vlerësimi) me sigurinë më të lartë të mundshme.

“Ndërsa argumenti se kjo kompani është shpëtuar nga Qeveria Belge, e më pas është blerë nga BNP Paribas, një nga rrjetet financiare më të mëdha në Evropë, vetëm sa e dëshmon se ky fond investues ishte me vlerë: përndryshe as nuk do të ishte shpëtuar nga Qeveria Belge e as nuk do të ishte blerë nga BNP Paribas”, ka thënë Demi. /Gazeta Fjala/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme