Investoni në arsim, sepse po e çoni këtë popull drejt injorancës kolektive

Prishtinë | 18 Qer 2021 | 13:37 | Nga Edmond Arizaj

Arsim, arsim, vetëm arsim.

O gdhenj! O pyka! Investoni urgjent për arsimin dhe ne arsim. Investoni njerez, para, kohe, mund e djerse.

Nuk e shihni ç’po rritet vit pas viti?

Nuk e shihni se për 25 vjet, te paarsimuarit janë bërë shumicë, madje edhe drejtues.

Nuk e shihni që ata të ditur e të lexuar nuk janë më këtu.

Nuk e shihni se injoranca po pushton edhe vendet ku dikur përçmohej dhe tallej e ku s’kish guxim të afrohej.

Nuk e shihni se vajzat po rriten me sytë nga brekët e jo nga librat, ndërsa djemtë me hundën të çarë për një trefletëshe.

Celulari është bërë si një zgjatim i dorës, si një dorë e tretë.

Dikur dora e tretë ishin romanet, tregimet, novelat e poezitë. Librat “jashtëshkollorë” që mbushnin “boshllëqet”. Por truri nuk mbetej bosh.

Investoni në arsim, sepse po e çoni këtë popull drejt injorancës kolektive, po e ktheni 300 vjet prapa, ku me i lexuari i fshatit ishte prifti, apo hoxha.

Investoni për mësues, pedagogë e edukatorë me dinjitet, integritet e dashuri.

Investoni për shkolla ne gjithë Shqipërinë se janë hauret e bagëtive më të fisme.

Investoni për studime profesionale e kërkime shkencore. Investoni për rritjen e konkurrencës mes fëmijëve. Investoni për mbrojtjen e tyre…

Mos harroni: Dikur ka pasur ca njerëz ky vend që kanë dhënë jetën që fëmijët e të rinjtë shqiptarë të arsimoheshin.

Nga ju s’po kërkohet kaq shumë, thjesht pak dëshirë.

Arsimi duhet të jetë reforma mbi reformat, e vetmja, e thellë e përditshme e pandalshme.

Të ngjashme