IPK-ja i jep Policisë 10 rekomandime për rritjen e profesionalizmit në luftën kundër narkotikëve

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të rregullt në fushën e vlerësimit të trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë.

Sipas njoftimit, inspektimi është realizuar në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2025 dhe është fokusuar në punën e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Prishtinë. Ky proces ka shërbyer për të vlerësuar performancën e kësaj njësie në trajtimin e veprave penale që lidhen me narkotikët.

“Objektivat e inspektimit kanë përfshirë vlerësimin e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale, respektimin e rregullave dhe procedurave gjatë hetimit dhe procedimit të rasteve në Prokurorinë e Shtetit, trajtimin dhe ruajtjen e dëshmive, si dhe mbajtjen dhe mirëmbajtjen e evidencave dhe dosjeve”, thuhet në njoftimin e IPK-së të mërkurën.

IPK-ja ka bërë të ditur se gjetjet e raportit janë me interes të veçantë për strukturat përkatëse policore, si për nivelin drejtues ashtu edhe për atë operativ-hetimor.

Në kuadër të raportit, IPK-ja ka dhënë dhjetë rekomandime, të cilat synojnë përmirësimin e performancës dhe profesionalizmit. Këto përfshijnë vendosjen e mekanizmave të brendshëm të kontrollit për të garantuar që hetuesit të mos kenë qasje në informacione të klasifikuara pa kaluar verifikimet e nevojshme të sigurisë, si dhe forcimin e praktikës së raportimit të rregullt ndaj Prokurorit të Shtetit për veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare.

Rekomandime të tjera lidhen me nevojën për ushtrimin e kontrolleve të brendshme për hartimin e planeve të hetimit, zbatimin e plotë të masave të urdhëruara, kompletimin e dosjeve me evidencën e dëshmive dhe raportet e ekzaminimit, respektimin e zinxhirit komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale, si dhe përmirësimin e kthimit të informatave mbi statusin e raporteve inteligjente të pranuara nga Zyra e Analizës dhe Statistikave.

IPK-ja ka theksuar se zbatimi i këtyre rekomandimeve do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë së Policisë së Kosovës në luftën kundër trafikimit të narkotikëve./Koha.net

Të ngjashme