IPKO jep donacion mbi 10 mijë euro pajisje shëndetësotre për QKMF-në e Gjilanit

Prishtinë | 24 Jan 2018 | 13:57 | Nga

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, kompania mobile “IPKO”, ka dorëzuar donacionin me pajisje të ndryshme për përmirësimin e kushteve në shërbimet shëndetësore për pacientët e komunës së Gjilanit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky donacion nga kompania IPKO, është i mirëpritur sepse i shërben institucionit të mjekësisë familjare për të ofruar shërbime shëndetësore më cilësore dhe me një efikasitet më të madh.

“Falënderojmë kompaninë mobile “IPKO”, e cila është përcaktuar për të ndihmuar sektorin e shëndetësisë primare. Kjo kompani llogaritet si investitori i huaj më i suksesshëm në Republikën e Kosovës. Ky donacion sot në Komunën e Gjilanit është përtej simbolikës dhe garantojmë që këto pajisje do të përdoren maksimalisht në shërbimin e qytetarëve, konkretisht shëndetit të fëmijëve dhe pacientëve në përgjithësi. Komuna e Gjilanit do të vazhdoj me aplikimin e programit E-shëndetësia, që e vendos një kontakt të drejtëpërdrejtë mes mjekut familjes dhe institucionit, për një shëndet dhe monitorim të vazhdueshëm”, ka thënë kryetari Haziri.

Kurse Arianit Duraku, drejtor i shitjes në kompaninë “IPKO”, ka thënë se në dhjetëvjetorin e kompanisë kemi dorëzuar këtë donacion në vlerë prej mbi 10 mijë euro, në pajisje moderne, kryesisht të pasqyrave të gjakut, analizave bio-kimike dhe pajisje të rëndësishme për shëndetin e fëmijëve dhe pacientëve në përgjithësi.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të QKMF-së Hasidin Bunjaku, ka falënderuar kompaninë mobile dhe njëkohësisht ka garantuar që këto pajisje do të jenë në funksion të shërbimeve më të mira shëndetësore për qytetarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme