Me fillimin e vitit të ri shkollor, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka intensifikuar dhe po vazhdon aksionet e inspektimeve për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në subjektet afariste në afërsi të institucioneve arsimore.
Gjatë ditës së sotme, ekipet e IQMT-së kanë zhvilluar 18 inspektime në disa rajone të Republikës së Kosovës, përkatësisht në Prishtinë, Prizren, Fushë Kosovë, Rahovec, Istog, Shtime dhe Podujevë.
Në kuadër të këtyre inspektimeve, inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm të cigareve elektronike nga shitja në dyqanet pranë shkollave.
Për mosrespektim të dispozitave ligjore dhe urdhëresave të inspektorëve, IQMT ka shqiptuar 3 gjoba, ndërsa gjatë kontrolleve janë realizuar edhe 2 sekuestrime.
Aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për kontrollin e respektimit të dispozitave ligjore dhe mbrojtjen e të miturve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në të gjitha regjionet e Republikës së Kosovës, me qëllim të sigurimit të një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe nxënësit.
Në kuadër të këtyre veprimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u bën thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht prindërve, që të raportojnë çdo rast të shitjes së cigareve elektronike te të miturit pranë institucioneve arsimore.