Irak, rritet në 74 numri i të vdekurve gjatë protestave

Prishtinë | 28 Tet 2019 | 10:23 | Nga Ekonomia Online

Rritet në 74 numri i të vdekurve gjatë protestave të zhvilluara brenda 3 ditëve të fundit kundër qeverisë në Irak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Komisioneri për të drejtat e njeriut të Parlamentit të Irakut, njoftohet se ka arritur në 74 numri i të vdekurve gjatë protestave që janë zhvilluar në 3 ditët e fundit në kryeqytetin Bagdad dhe qytetet qendrore dhe jugore të vendit.

Ndërkohë në deklaratë thuhet se gjatë protestave janë plagosur edhe 3.654 persona të tjerë përfshirë protestues dhe forca të sigurisë.

Komisionieri ka akuzuar forcat e sigurisë për përdorimin e gazit lotsjellës dhe bombave të zërit për shpërndarjen e protestave në Bagdad, Meysan, Basra dhe Zikar.

Ndër të tjera në deklaratë njoftohet se në rajonet Basra, Zikar dhe Babil janë arrestuar 153 persona ku dhe më pas 123 prej tyre janë liruar.

Po ashtu deklarata thekson se gjatë protestave nga persona të përfshirë në mesin e protestuesve janë djegur ose dëmtuar rreth 90 ndërtesa private dhe publike.

Irakianët zhvillojnë protesta në rajone të ndryshme të vendit me qëllim për të protestuar kundër papunësisë, varfërisë dhe mbi mangësitë e shërbimit publik.

Të ngjashme