Lideri Suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i ka akuzuar shtetet “armike” për nxitje të demonstratave të dhunshme antiqeveritare, nga të cilat janë vrarë 22 vetë, përfshirë një oficer të policisë, në sfidën më të madhe ndaj autoriteteve për gati një dekadë.
Në komentet e tij të sotme, që janë të parat prej se shpërthyen protestat më 28 dhjetor, Khamenei i ka akuzuar “armiqtë e Iranit” për përzierje në punët e brendshme të këtij vendi nëpërmjet “parave, armatimit, politikës dhe shërbimeve të inteligjencës”.
Kjo deklaratë u bë derisa po rritet presioni ndërkombëtar ndaj udhëheqjes së Iranit.
Në një video të postuar në mediat sociale shihen demonstruesit duke e sulmuar një stacion policor në qytetin qendror, Kahderijan.
Telvizioni shtetëror sot ka raportuar se gjashtë prej nëntë personave të vrarë gjatë natës, ishin përpjekur të vjedhnin armatim gjatë një sulmi në stacionin e policisë në provincën Isfahan, afro 350 kilometra në jug të Teheranit.