Një anëtar i ekipit të Iranit për negociatat për arritjen e marrëveshjes atomike me fuqitë botërore në vitin 2015, është dënuar me pesë vjet burg, pasi ishte akuzuar për spiunim.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve e Iranit, Tasnim, në raportin e djeshëm nuk e ka dhënë emrin e personit të dënuar, por i vetmi anëtar i ekipit të negociatorëve që dihet se ballafaqohej me akuza penale është Abdolrasoul Dorri Esfahani, me shtetësi kanadeze dhe iraniane.
“Dënimi i anëtarit të ekipit për negociata atomike, i cili ishte arrestuar dhe liruar në bazë të pagesës së paraparë ligjore, është konfirmuar në gjykatën e apelit në Teheran”, thuhet në raport dhe theksohet se “ky person është dënuar me pesë vjet burg”.
Besohet se agjencia e lajmeve Tasnim është e afërt me Gardën revolucionare islamike të Iranit, që mbanë linjë të fortë.
Një zëdhënës i qeverisë së Kanadasë tha pa elaboruar më detajisht, se zyrtarët janë “të vetëdijshëm për raportet në media se një person me shtetësi të dyfishtë është dënuar në Iran”.
Irani nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë.