Irani e vazhdon lehtësimin e masave, i hap përkohësisht të gjitha xhamitë

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Të gjitha xhamitë në Iran do të jenë të hapura përkohësisht nga 12 maji si pjesë e lehtësimit të masave kufizuese, të cilat kishin hyrë në fuqi për ta luftuar përhapjen e coronavirusit.

Vendimi për rihapjen e xhamive u mor pas konsultave me Ministrinë e Shëndetësisë, citohet të ketë thënë Mohammad Qomi, drejtor i Organizatës për Zhvillim Islamik.

Qomi më vonë njoftoi se xhamitë do të jenë të hapura vetëm për tri ditë gjatë netëve të dalluara të Ramazanit dhe nuk dihet nëse ato do të vazhdojnë të qëndrojnë të hapura, raportoi agjencia “Fars”.

Irani, që është shteti më i prekur nga koronavirusi në Lindjen e Mesme, ka filluar t’i lehtësojë masat kufizuese pavarësisht faktit se në disa rajone është shënuar rritje e numrit të infektimeve.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, javën e kaluar njoftoi se 132 xhami në zonat me rrezikshmëri të ulët mund të rihapen.

Deri më tani, në Iran janë regjistruar 6,685 viktima të koronavirusit dhe 109,286 persona të infektuar, shkruan “Free Europe”./ge

Të ngjashme