Irani, i gatshëm të dërgojë më shumë naftë në Venezuelë

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Jashtme e Iranit tha se Teherani do të vazhdojë të eksportojë naftë në Venezuelë, nëse kjo e fundit kërkon më shumë furnizime.

Edhe Irani, edhe Venezuela janë nën sanksione të SHBA-së dhe Uashingtoni ka kërkuar që të ndërpriten dërgesat.

“Irani praktikon të drejtat e tregtisë së lirë me Venezuelën dhe ne jemi të gatshëm të dërgojmë anije të tjera, nëse Karakasi kërkon më shumë furnizime nga Irani”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Musavi.

Irani ka dërguar së voni pesë cisterna me naftë në Venezuelë – vendin që po përballet me mungesa për shkak të krizës ekonomike.

Shtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar qeveritë, portet detare dhe transportuesit se mund të përballen me ndëshkime nëse i ndihmojnë cisternat e Iranit.

Deri më tani, katër cisterna kanë hyrë në ujërat e Venezuelës.

Tensionet midis Iranit dhe SHBA-së janë në rritje qysh në vitin 2018, kur presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore me Republikën Islamike dhe ka rikthyer sanksionet kundër saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme