Autoritet iraniane i kanë liruar nëntë nga dymbëdhjetë marinarët indianë, të cilët ishin arrestuar pas konfiskimit të anijes së tyre më herët gjatë këtij muaji. Konfiskimi i anijes u bë në kohën kur janë rritur tensionet në Lindje të Mesme.
Anija indiane “MT Riah” ishte ndaluar nga forcat iraniane më 13 korrik. Ministria e Jashtme e Indisë kishte bërë thirrje menjëherë që marinarët e saj të lirohen. Në anën tjetër, zyrtarët iranianë nuk kanë dhënë arsye pse nuk i kanë liruar edhe tre marinarë të tjerë.
“Nëntë anëtarë të ekuipazhit janë liruar dhe ata do të nisen rrugës për Indi së shpejti. Misioni ynë në Iran e ka kërkuar lirimin e tre marinarëve të tjerë nga autoritetet iraniane”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Indisë.
Televizioni shtetëror iranian kishte publikuar pamje të ndalimit dhe konfiskimit të anijes iraniane, duke thënë se ajo është ndaluar për shkak të kontrabandimit të naftës. Konfiskimin e saj e kishin bërë Rojet Revolucionare të Iranit.
Kohëve të fundit, roja detare e Iranit i ka ndaluar disa anije në Gjirin Persik, përfshirë anijen britanike “Stena Impero” në Ngushticën e Hormuzit më 19 korrik.
Ky veprim i ka rritur tensionet mes Iranit dhe Britanisë së Madhe. Marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve janë prishur edhe për shkak të konfiskimit të anijes iraniane nga autoritetet britanike në Ngushticën e Gjibraltarit, shkruan “The Guardian”.