Garda Revolucionare e Iranit i hodhi poshtë akuzat e Arabisë Saudite se ajo furnizon me raketa rebelët Huthi të Jemenit, të cilat janë përdorur për sulme kundër Riadit.
“Qëllimi i këtyre pohimeve nga Arabia Saudite është të devijojë opinionin publik nga mizoritë që ajo po kryen në Jemen”, tha Yadollah Javani, zyrtar politik i Gardës Revolucionare të Iranit.
Një koalicion i udhëhequr nga sauditët, i cili mbështet Qeverinë e Jemenit në luftën e saj kundër rebelëve Huthi, ka akuzuar Teheranin për furnizim me shtatë raketa që kanë goditur Arabinë Saudite në fundjavë, duke vrarë një person në Riad dhe plagosur tre të tjerë.
“Ne rezervojmë të drejtën për t’u përgjigjur kundër Iranit në kohë të duhur dhe vend të duhur”, tha një zëdhënës i koalicionit.
Javani, në anën tjetër, tha se sauditët kanë kryer mizori të shkallës së gjerë dhe kanë sulmuar popullin e shtypur të Jemenit gjatë dy-tre vjetëve të fundit, “me ndihmën e amerikanëve, sionistëve dhe disa shteteve rajonale”.