Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar shfuqizimin e të gjitha sanksioneve ndaj Iranit në këmbim të bisedimeve, por Teherani nuk e ka pranuar këtë ofertë shkaku i “atmosferës aktuale toksike”, ka thënë të premten presidenti iranian, Hassan Rouhani.
Duke e kontestuar versionin e Iranit, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ishte pala iraniane ajo që e ofroi heqjen e sanksioneve për lehtësim të rrethanave për bisedime, porse ai e ka hedhur poshtë, shkruan sot Koha Ditore.
“Irani kërkoi që t’ia heqë sanksionet e vendosura, në mënyrë që të mund të takohemi. Unë, natyrisht, thashë JO!”, ka shkruar Trump në Twitter.
Rouhani, duke folur pas kthimit të tij nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në New York, ka thënë të jetë takuar aty me zyrtarë amerikanë, nën insistimin e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës.
“Ishte çështje debati se çfarë sanksionesh do të hiqeshin dhe ata (ShBA-ja) thanë qartazi se do t’i heqin të gjitha sanksionet”, ka thënë Rouhani, sipas uebfaqes së tij zyrtare.